Roma po mendon që prezantimi i Zhoze Murinjos si trajneri i ri i verdhekuqve, të jetë i denjë për nofkën “Special One” që ka tekniku portugez. Familja Fridkin ka menduar që ta kthejë atë në një shfaqje të denjë për emrin e trajnerit si për të shënuar edhe fillimin e një cikli të ri ku imazhi do të ketë po aq rëndësi sa edhe ecuria sportive në fushën e lojës.

Mediat italiane kanë zbuluar planin e klubit, i cili ka nisur përgatitjet për të bërë një shfaqje madhështore me teknikun. Prezantimi i tij dhe firma do të bëhet në një nga vendet historike të qytetit të Romës,Llixhat romake të Karakala, një prej objekteve më të vizuara në kryeqytetin italian që tregon të kaluarën e Perandorisë.

Gjithçka do të transmetohet për publikun me ekrane gjigante të vendosur në sheshet kryesore të Romës, në mënyrë që të gjithë të shohin e dëgjojnë fjalët e para të teknikut portugez. Kjo është një ide që mendohet se do të afrojë menjëherë publikun e Romës me trajnerin dhe ekipin, për ta bërë të ndjehet si në periudhë normale dhe jo në kohë pandemie, pasi në realitet ideja e parë e Fridkin kishte qenë që të bënte këtë prezantim në “Olimpiko” të mbushur. /vipsport/