Në lidhje me atmosferën në kampin kuqezi, në prag të sfidës me Uellsin ka folur mbrojtësi Ardian Ismajli, i cili aktivizohet në Serinë A me skuadrën e Spezias. Në një prononcim për “Supersport”, 24-vjeçari Ismajli deklaroi:

“Si gjithmonë fundi i sezonit është i ngarkuar, pasi të gjithë kanë qenë të angazhuar në ekipet e tyre dhe kanë bërë shumë mirë. Tani kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme, pasi duam të shohim ku jemi në prag të dy përballjeve eliminatore në muajin shtator. Atmosfera si gjithmonë është shumë e mirë dhe grupi është shumë i mirë, ndaj besoj që do të kalojmë mirë.”

“Në çdo ndeshje ne futemi për të bërë mirë, por pse jo edhe për të fituar, pavarësisht se janë vetëm miqësore. Kundërshtarët janë shumë të fortë, por edhe ne jemi goxha të fortë, ndaj objektiv primar kemi fitoren. Për momentin jemi të fokusuar të bëjmë më të mirën në këto ndeshje”.

“Ka qenë viti im i parë në Serinë A dhe me Gjimshitin e Kumbullën po përshtatemi shumë mirë. Megjithatë ne jemi shokë me njëri-tjetrin dhe njihemi mirë, ndaj kjo besoj se është çelësi i suksesit.”

“Besoj se do të vijë në momentin e duhur, por nuk ka rëndësi kush shënon, pasi më shumë duam të fitojmë e të festojmë të gjithë së bashku”, – tha mbrojtësi Ismajli para testit me uellsianët.