Vllaznia nuk ka shumë kohë për të festuar, pasi pas fitimit të Kupës së Shqipërisë, janë të shumta çështjet që duhen zgjidhur, në mënyrë që vazhdimësia e skuadrës të jetë në nivele të larta.

“Panorama Sport” mëson se menjëherë pas ndeshjes së fundit të sezonit u ka skaduar kontrata plot 8 lojtarëve të rëndësishëm në skuadër, që më së shumti kanë luajtur titullarë.

Bëhet fjalë për portierin Bojan Zogoviç, mbrojtësit Eni Imami, Aleksandar Isaevski dhe Dajan Shehi, mesfushorët Herald Marku, Fjoart Jonuzi dhe Demir Imeri, si dhe sulmuesin boshnjak, Haris Dilaver.

Burime në klub tregojnë se thuajse me të gjithë këta lojtarë ka pasur bisedime paraprake për rinovim të kontratës, mirëpo deri më tani nuk mund të thuhet se palët kanë arritur një marrëveshje.

Vetëm me kapitenin Erdenis Gurishta dhe mesfushorin Arsid Kruja, drejtuesit kanë arritur të zyrtarizojnë rinovimin e kontratave pa u mbyllur sezoni. Mësohet se disa prej lojtarëve kanë kërkesa më të larta në krahasim me atë që kanë përfituar deri më tani.

Suksesi i Vllaznisë në sezonin 2020-2021 natyrisht që e imponon edhe këtë situatë, në një kohë që drejtuesit duan të ruajnë në masën 80 % grupin fitues.