NGA YLLI AGA

Hera e fundit që titulli kampion në vend vendosej me golavarazh, ka ndodhur në sezonin 1985-‘86. Triumfonte Dinamoja e Fatmir Frashërit në stol dhe Sulejman Demollarit në fushë ndaj Flamurtarit të emrave dhe bëmave, që ende jehojnë ditëve tona.

Teuta titulli

Të dyja me vetëm një pikë më shumë se Tirana, skuadra me më shumë trofe në vitet ‘80. Në një sezon, ku futbolli ynë përjetonte një nga kulmet e tij të periudhës së dominimit komunist dhe ku do të luheshin disa nga ndeshjet, që për nga niveli i lojës dhe rezultateve, ende janë të fiksuara në memorien e opinionit tonë sportive, si Partizani-Tirana 3-7, Flamurtari-Dinamo 3-1, Dinamo-Tirana 5-3, Vllaznia-Tirana 4-0 dhe në javën e fundit Tirana-Flamurtari 0-0, që pati ndikim direkt në shpalljen kampion të Dinamos, pas fitores së toleruar nga gjirokastritët 0-3, duke prodhuar këtë renditje finale:

SKUADRAT NL P DG

1.Dinamo 26 38 +29

2.Flamurtari 26 38 +22

3.17 Nëntori 26 37 +28

Në kontrast të fortë me atmosferën e 35 viteve më parë dhe nën ndikimin e pandemisë COVID-19, ku më e rëndësishmja ishte mungesa e tifozëve, kampionati ynë, në kushte krejt të ndryshme, ia doli të prodhonte një nga garat më emocionuese të të gjithë historisë së tij, duke kulmuar me mundësinë që titullin kampion në 90 minutat e fundit ta synonin, si kurrë më parë, katër klube. Konfirmuar sipas tabelës së renditjes, në përfundim të javës së 35-të:

SKUADRAT NL P DG

1.Teuta 35 63 +21

2.Vllaznia 35 63 +20

3.Partizani 35 62 +28

4.Laçi 35 61 +17

Ndonëse mundësitë më të mëdha, siç edhe u konfirmuan ishin për Teutën, pati një moment në fundin e pjesëve të para, në të cilën Imeri mund të dyfishonte avantazhin ndaj Laçit, ndërkohë që durrsakët po fitonin minimalisht 2-1 ndaj Apolonisë. Ky ishte momenti i fundit, në të cilin mund të kishte një tjetër parakalim mes rivalesh drejt vendit të parë, në një kampionat ku kreu i renditjes kishte ndërruar plot 13 herë, siç konfirmon tabela e mëposhtme:

Kryesues Java

1. TIRANA 1-

2. VLLAZNIA 2-4

3. PARTIZANI 5-

4. VLLAZNIA 6-23

5. LAÇI 24-

6. VLLAZNIA 25-

7. TEUTA 26-28

8. VLLAZNIA 29-

9. TEUTA 30-

10. PARTIZANI 31-

11. TEUTA 32-33

12. PARTIZANI 34-

13. TEUTA 35-36

Në një kampionat, që siç konfirmon edhe “El Mundo Deportivo” në Spanjë, ka prodhuar garën më me rivalitet në ligat kryesore të 54 vendeve europiane, durrsakët kanë meritën se treguan stabilitet në pothuajse të gjithë sezonin, krijuan një profil të qartë loje, veçanërisht sa i takon fazës mbrojtëse, duke fiksuar rekordin e ri, me vetëm 16 gola të pësuar dhe me të veçantën se në 22 ndeshje mbrojtën portën të paprekur.

Ndonëse të kritikuar për barazimet e shumta, në një kampionat ku diferenca u vendos me gola, mentaliteti për të synuar edhe një pikë të vetme ka rezultuar deciziv. Ndërkohë, për secilën nga ekipet rivale mund të ketë pengje pa fund, që mund të jetë një moment i sezonit, një ndeshje e vetme apo një vendimmarrje e arbitrave. Sigurisht më të zhgënjyerit duhet të jenë shkodranët, protagonistë të një sezoni të jashtëzakonshëm, veçanërisht për mënyrën se si nisi konkurrimi i tyre. Me drejtues të rinj, një trajner rishtar në futbollin tonë dhe me grupin e futbollistëve të ndryshuar në një përqindje të lartë.

Por, entuziazmi që ka mbizotëruar në atë ambient, sakrificat e të gjithë protagonistëve i katapultuan shkodranët në krye të listës së pretendentëve, duke qenë dominues në shumicën e garës, kryesues në 23 javë, në një pikë të sezonit edhe +9 nga ndjekësit, dhe ku pengu i madh duhet të jetë “blackout” në fazën e tretë, rezultatet e së cilës patën ndikimin kryesues për verdiktin final.

Për të kuptuar realisht ndryshimin e fortë të ecurisë së Vllaznisë, ia vlen të shikohen me kujdes renditjet e veçuara në katër fazat e këtij kampionati, në të cilat pikët dhe pozicioni në renditje në fazën e tretë, janë në kontrast të fortë me Vllazninë e tri fazave të tjera:

RENDITJA/FAZA E PARË:

Skuadra Pikë

1 .Vllaznia 19

2 .Kukësi 16

3 .Partizan i 13

4 .Tirana 13

5 .Teuta 13

6 .Kastrioti 13

7 .Laçi 11

8 .Bylisi 8

9 .Skënderbeu 6

10.Apolonia 5

RENDITJA/FAZA E DYTË

Skuadra Pikë

1.Laçi 19

2.Partizani 18

3.Vllaznia 18

4.Teuta 17

5.Tirana 13

6.Kastrioti 11

7.Kukësi 10

8.Apolonia 8

9.Skënderbeu 6

10.Bylisi 4

RENDITJA/FAZA E TRETË

Skuadra Pike

1.Teuta 19

2.Partizani 16

3.Tirana 16

4.Laçi 15

5.Bylisi 14

6.Skënderbeu 11

7.Vllaznia 10

8.Kukësi 9

9.Kastrioti 6

10.Apolonia 4

RENDITJA/FAZA E KATËRT

Skuadra Pikë

1.Vllaznia 19

2.Partizani 18

3.Teuta 17

4.Laçi 16

5.Tirana 16

6.Skënderbeu 14

7.Kukësi 10

8.Bylisi 7

9.Kastrioti 5

10.Apolonia 4

Ndërkohë, në kampin e kuq, ndonëse rezultati mund të konsiderohet përtej pritshmërive në raport me problematikat që Partizanit iu krijuan me mbylljen e merkatos për çështjen “Çinari”, fati i titullit i ndarë me vetëm një pikë adreson për gjetjen e arsyes më të madhe, rezultatet e arritura në ndeshjet direkte me rivalët, teksa të besuarit e Ilir Dajës, siç konfirmohet nga tabela e mëposhtme, fituan vetëm një nga 12 ndeshjet e luajtura:

RENDITJA E “TOP 4”

SKUADRAT NL Pikë

LAÇI 12 18

VLLAZNIA 12 17

TEUTA 12 13

PARTIZANI 12 11

Titulli kampion në këtë edicion të pazakontë mund të bëhej për herë të parë në histori i Laçit. Kurbinasit, pas një fillimi të vështirë me 7 pikë në 7 ndeshje, patën një ecuri të shkëlqyer, që kulmoi me marrjen e kreut në javën e 24-t, si dhe rezultatet pozitive në ndeshjet me rivalët direktë.

Por, pengu i madh për drejtuesit, stafin dhe futbollistët e Laçit do të mbeten rezultatet me katër ekipet e renditura të fundit, ku në 16 ndeshje, morën vetëm 7 fitore, u ndalën në 7 barazime, si dhe humbën dy prej. Këto rezultate do të kishin një peshë thelbësore në garën në distancë me rivalët direktë për titullin kampion:

RENDITJA ME “4 TË FUNDIT”

SKUADRAT NL PIKE

VLLAZNIA 16 41

TEUTA 16 38

PARTIZANI 16 34

LAÇI 16 28

E sigurt që ky kampionat do të merret në analizë nga të gjithë protagonistët e tij, për të veçuar çdo element pozitiv, si dhe për të evidentuar çdo problematikë që ka hasur në rrugëtimin e tij. E sigurt, gjithashtu, se në një periudhë normale dhe i pakushtëzuar nga pandemia, atmosfera përreth tij do të ishte shumë më e ndezur, emocionet më të forta, klubet do të ndienin mbështetjen e gjithanshme të tifozërive, si dhe do të përfitonin shifra rekord nga të ardhurat e biletave.

Por, i detyruar të luhet në stadiume të zbrazura, nën kërcënimin e COVID-19, në një psikologji të rënduar te të gjithë aktorët, vlerësimi për garën duhet të jetë pozitiv dhe meriton respektin e të gjithë opinionit sportiv. Për më tepër, titulli kampion i zgjidhur me golavarazh, pas 35 vitesh, dhe shpallja kampione e Teutës me fotofinish do të fiksohet në memorien e të gjithë si një nga momentet më të bukura dhe më emocionuese të Shqipërisë në kohën e COVID-19.