Milani, pavarësisht se po lëviz për të firmosur me lojtarë si Zhiru, Joviç, Sebajos apo Iliçiç, tani duket se po hedh sytë edhe nga futbollisti i Sasuolos, Domeniko Berardi. Fantazisti italian ka shkëlqyer sezonin e shkuar duke shënuar 17 gola në Serinë A dhe duke fituar një vend në “Euro 2020” me Italinë e Mançinit.

Berardi është i aftë të mbulojë dy role, nga krahu i djathtë i sulmit në një rreshtim 4-3-3, te roli i mesfushorit të avancuar, rol që dikur i përkiste Hakan Çalhanoglusë.

Berardi ka treguar edhe në të shkuarën se është i aftë të përballojë presionin e sfidave të mëdha, duke qenë protagonist në ngjitjen e Sasuolos nga Seria B në Serinë A. Ai mori vëmendjen e tërë opinionit sportiv në janar 2014, kur në ndeshjen ndaj Milanit, arriti të shënonte 4 gola, duke kthyer rezultatin nga 3-1 në 4-3 për emilianët.

Sipas mediave italiane, Milani ka ofruar 20 milionë euro plus futbollistin Mateo Gabia për të marrë shërbimet e 27-vjeçarit. “Djalli” gjithashtu duhet të bëjë kujdes edhe nga konkurrenca e klubeve të tjera europiane, të cilat janë duke vëzhguar me kujdes paraqitjet e Berardit me kombëtaren italiane në “Euro 2020”.

Sasuolo, nga ana e saj, e vlerëson lojtarin 40 milionë euro dhe duket se nuk ka ndërmend të pranojë ulje për një lojtar i cili është pa dyshim një nga titullarët e padiskutueshëm të skuadrës.

Edhe në të shkuarën ka pasur tentativa për t’ia rrëmbyer ekipit emilian diamantin e tyre, por drejtuesit e klubit i kanë rezistuar tundimit për të shitur lojtarin. Megjithatë, këtë vit duket se do të jetë e vështirë për ta mbajtur lojtarin në “Mappei Stadium”.