Brazili dhe Peruja janë dy kombëtaret e para gjysmëfinaliste te Kupës së Amerikës. Selecao mposhti 1-0 Kilin. Pjesa e parë nuk dhuroi gola, ndërsa e dyta nisi me avantazhin e vendasve.

Lucas Paqueta dërgoi topin në rrjetë me një goditje potente nga brenda zonës. Brazili me dhjetë lojtarë dy minuta më vonë pas daljes me të kuq të Gabriel Jesus. Vargas gjeti golin e barazimit pas një ore lojë, por VAR-i anuloi festën kilene.

Djemtë e Tites rezistuan në inferioritet numerik, ia dolën të ruajnë avantazhin e çmuar dhe në fund festuan kualifikimin. Rivali i radhës është Peruja, duel që do të luhet më 5 korrik.

3-3 përfunduan 120 minuta e ndeshjes Peru-Paraguait, me këta të fundit që luajtën me dhjetë lojtarë prej fundit të pjesës së parë (Gustavo Gomez u ndëshkua me të kuq 45+3′). Nga pika e penalltive u treguan më të saktë peruanët.

Gustavo Gomez kaloi Paraguain në avantazh në minutën e dhjetë. Peruja reagoi dhe përmbysi gjithçka në pjesën e parë falë autogolit të Gomez dhe rrjetës së Gianluca Lapadula. Minutat shtesë sollën edhe kartonin e kuq të Paraguait. Gjithsesi, këta të fundit nuk u dorëzuan dhe barazuan me anë të Junior Alonso.

Yoshimar Yotun riktheu Perunë në avantazh (80′), por goli i Gabriel Avalos (90′) dërgoi përballjen në shtesa. Edhe pse me 10 lojtarë, Paraguai rezistoi dhe ndeshja shkoi në penallti.

Shumë gabime nga dy ekipet, teksa në fund pati festë te Peruja dhe lot te Paraguai. Dy ndeshjet e tjera çerekfinale janë Uruguai-Kolumbi dhe Argjentinë-Ekuador. /abcnews