Marko Verrati ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren 2-1 të skuadrës italiane në Mynih. Mesfushori shtatshkurtër, edhe pse nuk shkëlqeu, vrapoi pa fund duke ndaluar disa aksione të rrezikshme të kundërshtarit. “Ishte një ndeshje që duhej fituar dhe ia dolëm.

Belgjika është një skuadër me lojtarë të mëdhenj, të cilët janë gjithmonë gati për të ndëshkuar, por ne u treguam më të mëdhenj, duke bërë një nga ndeshjet më të bukura të turneut, edhe pse do të ishte më mirë nëse do të kishim shënuar më shumë në pjesën e dytë”, tha mesfushori italian.

PËR DONARUMËN

Për faqen zyrtare të UEFA-s, Verrati foli edhe për paraqitjen e mirë të portierit “axurr”, Xhixho Donaruma, i cili me pritjet e tij ndali lojtarët belgë. “Ndodhi shumë herë gjatë ndeshjes. I vështroja ato goditje nga prapa dhe mendoja se askush nuk mund t’i priste ato. Por, papritur dora e Xhixhos u shfaq aty, ishte e pabesueshme. Ai është një vlerë e shtuar për skuadrën. Thjesht fantastik”.

Në lidhje me kundërshtarin e radhës, Verrati tha se nga sot Italia do të mendonte për ta. “Spanja është një ekip që nuk ka shumë nevojë për prezantim.

Do të jetë një duel i fortë, por për të fituar trofeun duhet të mundësh të fortët. Ata janë një skuadër shumë teknike dhe të zotë në zotërimin e topit.

Kanë lojtarë të mëdhenj dhe një trajner që di si fitohet, por ne nuk kemi frikë. Sapo kemi mundur një rival direkt për trofeun dhe jemi gati për t’u përballur me ta me kokën lart. E kam thënë edhe më përpara që kjo skuadër shkon larg”, tha mesfushori italian për kundërshtarin e radhës.