Teuta ka zhgënjyer sot në Durrës në ndeshjen e raundit të parë eliminator të Champione League ndaj Sheriff Tiraspol, duke u mundur me shifrat 0-4 dhe lënë fare pak shpresa për kualifikimin në raundin e dytë eliminator. Miqtë dominuan kampionët tanë gjatë gjithë ndeshjes.

Menjëherë rivalët moldavë treguan se janë një skuadër shumë e fortë. Ata morën menjëherë kontrollin e lojës dhe i diktuan Teutës ritmin e lojës. Në minutat e para rrezikuan shumë portën e Frashërit, madje gjetën edhe shtyllën.

Por goli nuk do vononte shumë sepse Teuta rezultoi të ishte një skuadër shumë e plogësht në mbrojtje. Në minutën e 14 sulmuesi kryesor Luvannor Henrique gjeti golin, pasi një goditje të kthyer nga portieri Frashëri, aty ku çuditërisht kishte vetëm lojtarë të Sheriff.

Paaftësia e Teutës për të rrezikuar portën kundërshtare vazhdoi bashkë me kaosin në mbrojtje dhe Sheriff mundi të gjejë edhe golin e dytë me të njëjtin autor.

Këtë herë mbrojtësit e Teutës respektuan rregullat e distancimit social prej pandemisë dhe ja bënë autostradë Luvannor, i cili tundi rrjetën në minutën e parë të shtesës së pjesës së parë, i ndihmuar edhe nga hezitimi i Frashërit.

Edhe në pjesën e dytë Teuta vijoi të tregonte dobësi dhe nuk mundi të gjejë forcë reagimi. Djemtë e Martinit pësuan edhe golin e tretë në minutën e 56. Këtë herë ishte Adama Traore, i cili shënoi një gol shumë të bukur dhe e bëri të pavlefshëm reagimin e Frashërit, duke fiksuar shifrat në 0-3.

Pas golit të tretë Teuta u mundua të krijonte shanse me Seferin dhe Bregun, por pa mundur të rrezikojnë seriozisht portën. Sheriff nuk u mjaftua me kaq sepse në minutën e 89 Frank Castaneda shënoi golin e katërt, duke plotësuar “pokerin”.

Mbyllet me fitoren 0-4 të moldavëve kjo ndeshje, duke ja bërë të pamundur Teutës për të kthyer gjithçka në anën e vet në ndeshjen e dytë. Beteja e kthimit luhet në Tiraspol më datë 13 korrik dhe pritet të jetë thjesht formalitet. /abcnews