Drejtori sportiv i Vllaznisë Matko Djarmati ndoshta e njeh më mirë se kushdo tjetër kundërshtarin e sotëm të kuqebluve. E ka ndjekur disa herë edhe në stadium dhe ia di pikat e dobëta dhe të forta. Duke folur për mediat në ditën e ndeshjes, ai ka thënë se barazimi është rezultat pozitiv por që nuk vlen shumë me rregullin e ri të UEFA-s për të shfuqizuar golin jashtë fushe.

“Kemi shumë shanse për kualifikim, por kuptohet që nuk duhet ta nënvlerësojmë në asnjë mënyrë Shirokin sepse është një ekip shumë cilësor, një ekip modest i cili ka një miks në mes lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë. Kanë shumë anë të mirë, por kuptohet që kanë edhe anët e dobëta të cilat ne do të mundohemi t’i shfrytëzojmë dhe të fitojmë ndeshjen.

Në kushtet kur është hequr rëndësia e golit jashtë fushë, kuptohet që një barazim 1-1 nuk ka më vlerën që ka patur më përpara. Kuptohet që barazimi do të ishte një rezultat pozitiv, por nuk zgjidh asgjë. Do të synojmë fitoren sonte, në mënyrën që ndeshja në Shkodër pastaj të ishte një formalitet. Kjo padyshim që do të jetë e vështirë, por unë kështu shpresoj”- ka thënë ai.

I pyetur ndërkohë nëse ka filluar të mendojë për sfidën e turit tjetër, atë ndaj AEL Limasol, drejtori Djarmati e mohon në mënyrë kategorike këtë gjë duke shtuar:

“Jemi shumë larg të menduar për AEL Limasol. Jemi të përqendruar vetëm tek Shiroki. Ta kalojmë këtë njëherë dhe pastaj të nisim të mendojmë për atë. Duhet të veprojmë si vjet kur i morëm ndeshjet një e nga një. Kështu duhet të bëjmë edhe tani. Të kalojmë njëherë këtë tur dhe pastaj do kemi kohë për atë të dytin”./SHKODRA-SPORT.COM/