Spanja ka të ardhme, por gjithashtu ka edhe të tashme. E tregoi diçka të tillë në këtë Europian. Iluzionoi si në epokën e lavdishme dhe i çoi peshë zemrat e tifozëve. Grupi i lojtarëve ishte fantastik, por mbi të gjithë u dallua një futbollist që rrëmbeu lëvdatat dhe elozhet e të gjithë Europës.

Spanja e Luis Enrikes është gjithashtu Spanja e Pedrit. Në “Furinë e Kuqe” u shfaq një djalosh magjistar, me këmbë të holla dhe pa shumë muskuj. Ndoshta nuk do të ishte gati për këtë Europian, por Enrike e mori me vete në momentin e fundit. Ai luajti thuajse të gjitha ndeshjet. Menjëherë pas eliminimit, Luis Enrike i thuri elozhe të mëdha.

“E keni parë se çfarë bëri Pedri në këtë Europian? Mendoj se asnjë lojtar tjetër 18-vjeçar nuk mund të bëjë diçka të tillë. As Andres Iniesta nuk ka shkëlqyer kështu”, tha trajneri i “Furisë së Kuqe”. Kundër Italisë, Pedri nuk gaboi asnjë pasim deri në kohën shtesë. Lojtari nga Kanaria kreu 65 pasime të sakta nga 67 në total.

Diçka e jashtëzakonshme për një lojtar kaq të ri. Ishte timonieri, lideri dhe qetësia. Ishte inteligjenca dhe qartësia, ishte gjithçka që donte të ishte në Europianin e tij të parë. Dukej sikur po luante në rrugë me miqtë e tij. Interesant është fakti që Pedri ka luajtur 69 ndeshje në këtë sezon.

I paprekshëm për Ronald Kumanin dhe tani për Enriken. Në Europian i zhvilloi të gjitha minutat, me përjashtim të një ndeshjeje. Kundër Zvicrës doli nga fusha ende pa përfunduar. Kur do të thoni ju? Në minutën e 119-të. Ai ishte lojtari që përshkoi më shumë kilometra në këtë Europian.

Aventura e Spanjës përfundoi pikërisht me lotët e tij. I vetmi që u përlot pasi ndjeu që i bëri mirë gjërat dhe meritonte më shumë, por historia e këtij djaloshi sapo ka nisur në futboll.

DEKLARATA – Menjëherë pas eliminimit ndaj Italisë, Pedri reagoi në rrjetet sociale duke thënë se Spanja do të rikthehet më e fortë dhe ka histori për të bërë. “Pavarësisht se fundi ishte zhgënjyes, eksperienca e këtyre javëve të fundit ka qenë e paharrueshme. Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që e bënë të mundur këtë, mbi të gjitha shokëve të skuadrës dhe trajnerëve. Dua të falënderoj edhe tifozët për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë. Ne do të rikthehemi më të fortë”, ka thënë Pedri.