Ishin shumë pranë ëndrrës, por fati dhe ndoshta një gabim i arbitrave në fushë kanë eliminuar Danimarkën nga “Euro 2020”. Skuadra e Kasper Hjulmandit kaloi e para në avantazh në pjesën e parë me një eurogol nga goditja e dënimit, të shënuar nga Damsgard, por u përmbys falë autogolit të Kjaerit dhe golit të Kejnit. Në përfundim të sfidës, për mikrofonat e UEFA-s u ndal edhe vetë trajneri danez:

“Normalisht është një zhgënjim i madh që ishim kaq pranë finales, megjithatë rrethana të shumta gjatë ndeshjes treguan se nuk kemi hedhur ende hapin cilësor. Është diçka fantastike ajo që lojtarët e mi kanë arritur. Ekziston një forcë fantastike mes tyre, luajnë në një mënyrë të shkëlqyer.

Gjatë gjithë turneut kemi sulmuar, shënuar gola dhe kemi treguar vlerat tona të vërteta, brenda dhe jashtë fushe”. Danimarka, në fakt, arriti në këtë kompeticion më larg se skuadra që mbajnë emrin e Holandës, Francës apo Gjermanisë. Dhe Hjulmand normalisht nuk mund të mos jetë i lumtur:

“Kemi qëndruar të bashkuar, luftuam deri në minutën e fundit. Për momentin jemi shumë të zhgënjyer. Megjithatë, nuk do të kalojë shumë kohë deri në momentin që të vendosim këtë moment në perspektivë dhe të themi: ‘I dhamë një shans dhe me siguri mund ta përsërisim’”. Tani në ndeshjen e radhës kombëtarja daneze do të zbresë në fushë më 1 shtator kundër Skocisë, për sfidën e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”.