Garet Sauthgejt tërheq Anglinë në finale dhe Anglia tërheq Garet Sauthgejtin në finale, duke i hequr kështu njollën e penalltisë së humbur në Europianin e vitit 1996, sërish në shtëpi, kundër Gjermanisë së urryer, e cila u kushtoi “Tre Luanëve” eliminimin në gjysmëfinale. Gjithsesi, të dielën ish-mbrojtësi do të ketë mundësinë që të bëjë diçka historike, ndonëse fillimisht duhet të mposhtë Italinë.

“Jam vërtet krenar për këta futbollistë që stërvis. Në të njëjtën kohë falënderoj edhe tifozët, të cilët ishin fantastikë gjatë të gjithë ndeshjes. E dinim se nuk do të ishte një ndeshje aspak e lehtë ndaj danezëve, pasi vuajtëm forcën e tyre fizike dhe u pa qartë.

Por gjatë pauzës së pjesës së dytë dhe atyre në shtesë u shpjegova lojtarëve se si dilet nga këto situata dhe ata u përgjigjën siç duhet”, bëri hyrjen e tij Sauthgejt, i cili i pyetur mbi momentin deciziv, penalltinë e Sterlingut, deklaroi:

“Sinqerisht nuk e ripashë në dhomat e zhveshjes, por di të them se Sterling krijoi shumë panik në mbrojtjen e Danimarkës. Dhe mua kaq më mjafton.

Nga trofeu na ndan vetëm Italia? Janë një skuadër e frikshme, por ajo që më tremb më shumë te lojtarët e Mançinit është forma e tyre fantastike fizike dhe psikologjike”.