Në mungesë të Thomas Brdariç, i cili u ndëshkuar me karton të kuq në sfidën e parë, Vllazninë, në ndeshjen e kthimit ndaj Shiroki Brijeg, e drejtoi zv.trajneri Elvis Plori. 42-vjeçari shkodran foli për mediat pas triumfit madhështor që kuqeblutë arritën duke siguruar kualifikimin për më tej, teksa ndër të tjera u shpreh:

“Ishte mrekulli, siç e shikoni edhe ju, atmosfera ka ndryshuar shumë në Shkodër. Quhet mrekulli sepse i shënuam në pjesën e dytë të 3 golat, prania e tifozëve në stadium ishte një armë shumë e fortë për ne.

Tifozat i kanë munguar shumë futbollit, gjithashtu dhe ne. Në momentin e parë që janë dëgjuar ata, them që ka pasur një ndryshim shumë të madh për ne. Është një festë e vërtetë, sepse e mbyllëm shumë bukur këtë ndeshje.

Ndryshuam shumë, jo vetëm në emra, por edhe në mënyrën e lojës. U futëm me 2 sulmues direkt dhe një lojtar që bllokonte organizatorin e Shirokit, i cili na vuri në vështirësi ndeshjen e parë.

Kemi besuar besuar te kualifikimi që ditën e parë kur na ra shorti me ta, por edhe në momentin e parë, pas ndeshjes së parë atje. Nuk ka qenë një rezultat i drejtë atje, duke menduar që çfarë bëri arbitri në ndeshjen e parë.

Kishte 10 vite që Vllaznia nuk merrte pjesë në Kupat e Europës, është një sadisfaksion për të gjithë. Ky ndryshim ka 1 vit që ka filluar. Kemi një bazë të shëndoshë të ekipit dhe kjo dha efekt”, u shpreh Plori.