Gabriele Oriali dhe Interi duket se po ndajnë rrugët. Brenda javës do të organizohet një takim mes menaxherit teknik dhe drejtorit Xhuzepe Marota për të diskutuar mbi të ardhmen e menaxherit 68-vjeçar.

Oriali iu bashkua zikaltërve në verën e vitit 2019 për të qenë krahu i djathtë i Antonio Kontes, duke qenë shpeshherë ura lidhëse midis trajnerit dhe shoqërisë.

Me ardhjen e Simone Inzagit, që po mendon të ndryshojë shumë nga mënyra si punohet në fushë, gjërat kanë ndryshuar dhe ngelet për të parë nëse do të gjendet gjuha e përbashkët me menaxherin.

Oriali, që ka qenë i angazhuar gjatë kësaj vere me kombëtaren italiane, pritet t’i thotë lamtumirë Interit, të cilët nga ana e tyre në rast largimi nuk do të kërkojnë një zëvendësues (qarkullon emri i Rikardo Ferrit).

Marota dhe drejtori sportiv Auzilio do të zgjerojnë përgjegjësitë e tyre dhe do të përfshihen me shumë në punën e ekipit brenda qendrës stërvitore, në krahasim me të kaluarën.