Tirana ka bërë një goditje të madhe në merkato duke afruar sulmuesin e Laçit, Redon Xhixhën. 22-vjeçari ka firmosur për 3 vite me bardheblutë duke vazhduar karrierën e tij përsëri në Superiore.

Prej kohësh u fol për një transferim të Xhixhës në radhët e Tiranës, por disa detaje burokratike me kurbinasit frenuan zyrtarizimin e sulmuesit si lojtarin e bardhebluve.

Lajmi u bë i ditur nga vetë faqja e klubit të Tiranës në “Facebook”, duke e vënë Xhixhën menjëherë nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi.

“Merkatoja e kësaj vere vjen me zyrtarizimin e lojtarit Redon Xhixha. I riu kaloi një sezon fantastik duke qenë një aset i rëndësishëm i superiores, gjë që ka bindur drejtuesit e klubit se e ardhmja e tij duhet të jetë bardheblu.

Sulmuesi i bashkohet skuadrës për 3 sezonet e ardhshme dhe është tashmë nën urdhrat e trajnerit Shehi”, shkruante klubi. Nga ana tjetër, për “Panorama Sport” sulmuesi foli për firmën me bardheblutë.

Përse zgjodhët Tiranën për vazhdimin e karrierës dhe cili u bë sebep për këtë transferim?

Zgjodha Tiranën, pasi bisedova me familjarët dhe të afërmit e mi. Së bashku menduam që Tirana është ekipi perfekt për të vazhduar karrierën. Patët oferta të tjera gjatë kësaj vere. U fol për Partizanin, në Turqi e me radhë… Sigurisht që oferta kam pasur nga disa klube të Superiores, por edhe nga jashtë vendit, por vendosa për Tiranën.

Tirana ka qenë një nga skuadrat e preferuara që i shënonit gol. Tani duan të shënoni gola me fanellën e Tiranës…

Po, në të kaluarën është e vërtetë që Tirana ka qenë një nga ekipet të cilit i kam shënuar më shumë gola, por i tillë është futbolli. Tani jam pjesë e Tiranës dhe shpresoj të shënoj sa më shumë për këtë ekip.

Mund të themi se Tirana është e kompletuar për kampionatin dhe mund ta fitojë titullin?

Për sa i përket kampionatit, Tirana e ka treguar edhe më para që është një nga pretendentet kryesore për fitimin e titullit. Shpresoj që këtë vit ta ndihmoj dhe unë me sa më shumë gola që ta arrijmë qëllimin.

Do të zëvendësoni Kalenë në krahun e majtë të sulmit?

Unë nuk kam shkuar te Tirana të zëvendësoj asnjë. Kam ardhur të tregoj veten time. Të jap më të mirën dhe të bëj maksimumin për këtë ekip.

Cili është objektivi personal për këtë sezon dhe çfarë mund të arrijë Tirana?

Objektivat e Tiranës dihen, ndërsa objektiv personal kam që të shënoj sa më shumë në portën e kundërshtarëve dhe të ndihmoj skuadrën.

E shihni Tiranën si trampolinë për një skuadër tjetër jashtë vendit?

Tirana sigurisht që është një trampolinë e shkëlqyer për t’u transferuar jashtë Shqipërie. Është ekipi më i madh në Shqipëri.

Dy fjalë për Laçin që deri para pak javësh ishte skuadra juaj. Keni kaluar shumë vite me kurbinasit…

Për sa i përket Laçit, unë i jam shumë mirënjohës për atë çfarë ata kanë bërë për mua. Nuk do të harroj kurrë mundësinë që më kanë dhënë të luaj në Superiore dhe të tregoj aftësitë e mia.