Grintë, dëshirë, shpejtësi, nuhatje goli, por edhe kualitet. Kjo është ajo çfarë ka treguar talenti i ri i Vllaznisë, Mehdi Çoba në dy ndeshjet e Conference League përballë Siroki Brijeg. Shkodranët arritën një kualifikim historik mbrëmë në “Loro Boriçi” ku në shifrat 3-0 arritën të kthenin humbjen e ndeshjes së parë në Bosnje në shifrat 3-1.

Padyshim protagonisti i ndeshjes ishte Fahrudin Djurdevic me dopietën e tij, apo edhe Eni Imami që shënoi një gol shumë të rëndësishëm në një moment ku takimi po dominohej nga kuqeblutë.

Por nuk duhet lënë pa përmendur as kontributi tej mase i çmuar edhe i Mehdi Çobes. Përveç golit që shënoi në ndeshjen e parë, që mbajti gjallë shpresat e shkodranëve, edhe mbrëmë dhuroi një paraqitje tjetër shumë pozitive.

I futur në lojë si zëvendësues në minutën e 30-të ku Da Silva la takimin i dëmtuar, 21-vjeçarit dukej se këmbët i lëshonin “xixa”. Me shpërthimet e tij i vuri shumë në vështirësi mbrojtësit boshnjakë.

E vendimtar asisti i tij në minutën e 78-të ku prezantoi vetëm me portierin Miskic, sulmuesn Djurdevic që nuk gaboi dhe dërgoi shifrat në 3-0 duke vulosur kualifikimin e Vllaznisë.

Një meritë e madhe për këtë kualifikim patjetër që është edhe e djaloshit të ri. Shkëndija shumë pozitive këto nga Çoba, që tregon se ai është i gatshëm të marrë akoma më tepër përgjegjësi tek kjo skuadër dhe të jetë protagonist edhe në vijëmsi të sezonit. /Endri Çinari- Sport Ekspres/