Eni Imami ishte protagonist në fitoren dhe kualifikimin e Vllaznisë në turin e dytë të Conference League. Mbrojtësi shënoi golin e dytë në fitoren 3-0 ndaj Siroki Brijeg, ndërkohë që së fundmi po bën xhiron e internetit një video tjetër.

Ergi Borshi, ish-lojtari i Vllaznisë, ka filmuar Imamin që përqafon një tifoz të emocionuar dhe që qan prej gëzimit. Videoja është postuar në “Instagram” dhe është shpërndarë edhe nga vetë Imami.

Ky i fundit edhe foli pas ndeshjes, duke deklaruar: “Ishim jashtë mase të karikuar. E dinim që do e kalonim këtë kundërshtar. Na motivoi më shumë edhe ajo ndeshja atje të them të drejtën. E dimë shumë mirë të gjithë që nuk e kemi merituar të humbasim në duelin e parë”.

Imami ka firmosur me Dinamon dhe do të largohet pas kupave të Europës: “Kam firmosur te Dinamo dhe jam një lojtar i Dinamos. Nuk doja të largohesha nga Vllaznia ashtu me hile. Doja të largohesha me kokën lart. Sigurisht që tani do e vazhdoj aventurën Europiane, por uroj të ecim sa më shumë.

Kam kaluar një vit të mrekullueshëm në Shkodër dhe do ishte mënyra më e keqe të largohesha duke u eliminuar për faj të dikujt tjetër, jo për fajin tonë. Një pishman i madh është që nuk i shijova tifozët për 1 vit këtu. Ishte kënaqësi e madhe që i shijova si futbollist i tyre, pasi gjithmonë kam qenë kundërshtar”. /abcnews/