“Poshtë shtëpisë ku jetoj në Shkodër është një kafene ku zbres ndonjëherë në kohën e lirë. Aty më pret një djalë të cilin i ati e ka porositur që sa herë të jetë në turn të mos m’i marrë lekët e kafes. Thotë se babai i tij nuk sheh ndeshje tjera futbolli, për të ka vetëm Vllazni.”

Eni Imami ka pak ditë që ka shënuar një gol të rëndë në Ligën e Konferencës, gol që ka ndihmuar Vllazninë të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë dhe të kalojë më tej duke mundur në përballjen e dyfishtë boshnjakët e Shiroku Brijegut. Mbrojtësi tiranas tregon me qetësi ngjarjet e fundit por edhe përshtypjet nga sezoni i kaluar në Shkodër, ku si pjesë e Vllaznisë ka shijuar një vit me ngarkesa të larta emocionale.

Ka firmosur me Dinamon për 2 sezonet e ardhshme, klubin e fëmijërisë, megjithatë po nderon paktin me Vllazninë duke dhënë më të mirën në përballjet europiane.

“E kam me veten, dua të jap më të mirën që kam. Sakrifikuam me shokët gjatë gjithë sezonit që të na jepej mundësia të luanim ndeshje të këtij niveli në Europë. Tani erdhi çasti të djersisim e luftojmë edhe më fort. Në Shkodër e dinë që nuk do jem pjesë e Vllaznisë kur ta mbyllim me Ligën e Konferencës, por sa të vesh atë fanellë nuk do ketë mendim tjetër në kokën time.”

Biseda me Imamin nis nga Shkodra por kalon nëpër të gjitha qytetet ku ka luajtur e trajnerët me të cilët ka punuar.

“Thomas Brdarić është mik i lojtarëve kur jemi ulur diku. Por nëse në ndeshje bën një gabim, të nesërmen mund të të telefonojë disa herë në çdo orar për të ndarë detajet e për të bërë të mundur që gabimet mos të përsëriten. Është shumë këmbëngulës.”

Nga e shkuara veçon Ilir Dajën si trajnerin me të cilin është ndjerë më mirë dhe ka fjalë edhe për Ernest Gjokën apo Skënder Gegën.

“Ilir Daja më njeh që fëmijë dhe ndoshta ky fakt bën që të kem respekt të veçantë për të. Nga koha kur luaja me Kukësin kam kujtime shumë të bukura. Edhe sot e kësaj dite flas shpesh me trajnerin Gjoka. Kur isha më i ri kisha tjera mendime e ndoshta edhe sjellje. Skënder Gega nuk më aktivizonte shumë te kombëtaret e moshave, megjithatë është karakter i rrallë dhe sot kemi marrëdhënie të mirë.”

E ka nisur si sulmues krahu dhe me ngadalë ndër vite ka zbritur si mbrojtës i majtë dhe tani luan mirë në qendër, ku duket se ka gjetur një pozicion që i shkon më shumë për shtat.

“Si karakteristikë nuk dalloj për topin e parë apo lojën në ajër, që i duhen çdo mbrojtësi qendre. Fakti që luaj me topin dhe përpiqem ta nis lojën nga pas më ndihmon të mbuloj mangësitë e tjera. Me kohën natyrisht jam përshtatur dhe përpiqem të përmirësohem hap pas hapi.”

Në Shkodër gjendet mirë me shokët e ekipit dhe thotë se e kanë respektuar shumë. Në Tiranë sezonin e kaluar është kthyer vetëm në ditët e pushimit, diçka që ka ndihmuar jo vetëm Imamin por edhe lojtarët e tjerë që të krijohet një grup i mirë te Vllaznia.

“Kemi merituar në fushë çdo sukses të arritur. Nuk e patëm fatin të shpalleshim kampionë por erdhi Kupa e Shqipërisë ndaj një kundërshtari si Skënderbeu, që luajti një ndeshje shumë të mirë në finalen kundër nesh.”

Eni Imami ka qenë pjesë e një reparti që përbëhej edhe nga Gurishta, Adili dhe Isaevski. Bashkë me Shehin që e niste si alternativë.

“Gurishtën e kam shumë shok, djalë i mirë bashkë me çunat e tjerë shkodranë me të cilët jam shoqëruar edhe jashtë fushe. Isaevski lojtar i veçantë, shumë teknik. Për Adilin mund të them që në kampionat e sipër ai më ka përmirësuar mua dhe unë atë. Edhe Dajani (Shehi) bëri mirë sa herë luajti duke shënuar gola vendimtarë.”

E ardhmja është te Dinamo, megjithatë Vllaznia luan ende në Europë. Liga e Konferencës vazhdon kundër qipriotëve të AEL-it. Nga Tirana Imamit i kanë thënë ta shijojë këtë përvojë, janë çaste që mbahen mend:

“Me trajnerin Shkëmbi kemi shkëmbyer mesazhe. Ka luajtur vetë në Europë dhe më ka dhënë mbështetjen e tij duke më porositur të jap më të mirën e t’i kthej në të paharrueshme këto përvoja.”
Enit i erdhi ora për t’u nisur për në Shkodër. Kafen kësaj radhe e hoqi ai për të gjithë tavolinën. Ia kthefshim po për të mira në rast të një tjetër kualifikimi…
*Marre nga PJESA E TRETE