Ish-kapiteni dhe shënuesi më i mirë i Vllaznisë ndër vite, Vioresin Sinani, e ka vlerësuar me nota të larta kualifikimin e arritur nga kuqeblutë. Sipas tij, emocionet kanë qenë të mëdha në këtë përballje dhe pa dyshim mbështetja e tifozërisë ka meritën e saj.

Ish-kapiteni ka besimin e plotë se Vllaznia mund të shkojë edhe më tej në këtë kompeticion. Në analizën e tij, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ish-bomberi është i mendimit se Vllaznisë për sezonin e ri i mungon vetëm një sulmues “race”, siç ka qenë edhe vetë ai.

A e prisnit, duke u nisur nga ndeshja e parë, që Vllaznia të kualifikohej?

Padyshim që e prisja, pasi Vllaznia në ndeshjen e parë është penalizuar shumë nga arbitri. Në të kundërt, nuk do të humbte me atë rezultat. Në ndeshjen e kthimit, sidomos pjesa e dytë ishte spektakolare dhe tregoi se Vllazninë në atë takim e mundën Shiroki bashkë me arbitrin.

Si i përjetuat këto përballje kur dihet se Vllaznia kthehet në Europë pas 10 vitesh?

Me shumë emocione, sepse Vllaznia e vitit të fundit ka qenë shumë e bukur. Ka qenë mëkat që spektatorët të mos e shijonin në stadium atë ekip. Besoj se të gjithë janë kënaqur dhe emocionuar me Vllazninë në stadium kundër ekipit të Shirokit.

Ku ndryshoi, sipas jush, ekipi nga ndeshja e parë në atë që tregoi në sfidën e kthimit?

Në Shkodër kam parë një Vllazni me shumë grintë. Kam parë një Vllazni spektakolare, sidomos në pjesën e dytë. Kam parë një Vllazni sulmuese, siç e duan tifozët shkodranë.

A ju kishte marrë malli që të shikonit pas afro 18 muajsh një entuziazëm të tillë në “Loro Boriçi”?

Shumë! Por jo vetëm mua, por besoj të gjithë shkodranët. Në Shkodër e dashurojnë futbollin dhe emocionet ishin fantastike. Vllaznia ka bërë një mrekulli, pasi ta përmbysësh rezultatin nga 3 me 1, nuk është e lehtë.

Ka forcë kjo skuadër që të vazhdojë edhe më tej në këtë kompeticion?

Pse jo?! Do të luajmë kundër një ekipi qipriot, që jam i bindur se me besim e entuziazëm mund t’ia dalim. Ndeshja e dytë është në Shkodër dhe me publikun shkodran ne krahë, futbollistët e dinë se mund të arrijnë çdo rezultat.

Duke u nisur nga kundërshtari, a mund të jetë, sipas jush, një raund i kalueshëm?

Po, me plot gojën unë besoj se Vllaznia ka forca ta kalojë këtë kundërshtar. E them këtë sepse Vllaznia e sotme ka fituar besim e siguri dhe nuk e tremb askush.

Ku duhet të ndërhyjë, sipas jush, Vllaznia në merkato për të qenë sërish pretendente edhe në sezonin e ardhshëm?

Mendoj se përveç një sulmuesi, që do duhet pasi sezoni është i gjatë, në repartet e tjera e shoh një skuadër të kompletuar, pa shumë nevoja për ndërhyrje.