Jurgen Bardhi është i Partizanit dhe për Kupat e Europës. Burime të besueshme pranë klubit të kuq bëjnë me dije për Newsport.al që fantazisti ka gjetur akordin në Turqi me skuadrën e Tuzlaspor, që militon në Liga 1.

Pikërisht ky fakt ka tërbuar trajnerin Ilir Daja, i cili e kishte parashikuar fantazistin si titullar në sezonin e ardhshëm.

Ndaj në ndeshjen e kthimit kundër Sfintul Gheorghe, fushë-krujasi e nisi nga stoli. Tekniku kryeqytetas nuk ka mundur ta “përtypë” faktin se Bardhi është drejt largimit, sikurse e parashikon dhe kontrata e rinovuar në muajin qershor që e lë të lirë për një aventurë jashtë vendit, duke u “hakmarrë” me lënien në stol të tij.

Të njëjtat burime tregojnë për Newsport.al që kjo situatë është bërë çështje në klubin e kuq. Presidenti Gaz Demi dhe drejtori i përgjithshëm Olsi Rama kanë kërkuar llogari te trajneri për zgjedhjen e bërë në Moldavi. Sipas tyre 23-vjeçari është i preferuari i klubit dhe si i tillë duhet trajtuar deri ditën e fundit me këtë fanelë.

Kjo krisje e krijuar vjen në një moment delikat kur Partizani duhet të përballet me Baselin në transfertë. Pritet të shihet se çdo të ndodhë në vazhdim, teksa duhet theksuar se kalimi i Bardhit në Turqi është çështje ditësh pasi gjithçka është mbyllur pozitivisht. Ai pritet të lërë Partizanin sapo të përfundojë aventura e të kuqve në Kupat e Europës./newsport/