Bylisi nuk arriti të mbijetonte sezonin e kaluar në Superligë dhe do të luajë në Kategorinë e Parë edicionin e ri. Ballshiotët nuk kanë nisur ende nga puna, por drejtuesit janë duke punuar në merkato e kryesisht atë në dalje.

Marcelino Preka është një nga lojtarët më të kërkuar në merkato. Mbrojtësi 17-vjeçar shkodran ka shumë oferta nga jashtë Shqipërisë dhe mund të vendosi rekord te Bylisi.

Shkodrani u afrua nga sezonin e kaluar dhe luajti disa ndeshje si titullar, ndërsa është pjesë edhe e Kombëtares së moshave. Duke parë talentin e tij, disa ekipe jashtë vendit kanë kërkuar shërbimet e Prekës dhe për kartonin e tij Bylis mund të përfitojë rreth 300 mijë euro.

Një shifër rekord për ballshiotët që nëse do ta realizonin me sukses do të kishin mjaft të ardhura për sezonin e ri në Kategorinë e Parë. Në ditët në vijim pritet të zbulohet e ardhmja e Prekës, mbrojtësit 17-vjeçar që duket se është gati për hapin e madh./newsport/