Nuk ka dilema për formacionin që do të hedhë sot në fushë Vllaznia. Trajneri Tomas Brdariç ka bërë vetëm një ndryshim nga ndeshja e kthimit ndaj Shiroki Brijegut.

Mungesa e Viktor da Silvës në sfidën e sotme për shkak dëmtimi është kompensuar me rikthimin si titullar të Ardit Krymit, i cili shleu pezullimin pas kartonit të kuq, të marrë në takimin e parë në Bosnje.

Dje në orën 18:30 kuqeblutë zhvilluan seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Cirio”, aty ku u përshtatën me fushën, që nga sa mësohet, nuk është në gjendjen më të mirë.

Gjithsesi, ndryshimi i orarit, pikërisht për të nisur takimin sot në 19:00 dhe jo në 16:30, siç ishte parashikuar në fillim, është një lajm i mirë për shkodranët.

Sipas parashikimeve të motit, temperatura më e lartë në orarin e ndeshjes AEL-Vllaznia pritet të jetë 29 gradë.