Shqipëria bëri paraqitje të mira në kualifikueset e shtatorit (Qatar 2022), duke bindur jo vetëm me rezultate por edhe me lojë. Pikërisht për temën e Kombëtares ka folur Igli Tare, shqiptari që mban postin e drejtorit sportiv te Lazio.

Tare shprehet se sytë duhet të jenë të fokusuar përpara, pasi kanë rëndësi shumë dy takimet e radhës. Ai thekson se ndaj Polonisë dhamë disa shkëndija, ndërsa ndaj hungarezëve pohon se i pëlqen shpirti i garës.

“Ndeshjet e shtatorit? I shikoj si një fotografi të momentit, e cila duket shumë e bukur. Dy ndeshjet e radhës janë vendimtare. Besoj që në ndeshjen e parë me Poloninë pamë disa shkëndija. Detajet bënë shumë diferencën, sidomos kur luan përballë një ekipi që ka Lewandowskin.

Sa i përket Hungarisë, më pëlqeu shpirti i ekipit. E kishin kuptuar rëndësinë e takimit. Ndoshta ka pak mangësi përsa i përket finalizimit të aksioneve. Kryesorja ishte rezultati. Broja ishte një lojtar që i dha tone pozitive ekipit. Më pëlqen sesi luan Muçi.

Moduli i Reja? Nuk është çështje moduli, por skuadre” – tha ai./newsport/