Teuta e tij e nisi aty ku e la kampionatin, pasi triumfoi në duelin e parë në “Elbasan Arena” kundër Partizanit. Goli I Gorgiev ishte vendimtar dhe pas ndeshjes trajneri Edi Martini foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

“Ky ekip armën më të fortë ka grintën dhe karakterin. Djemtë japin 120% të tyre. Kanë autoritet prej kampioni dhe vazhdojnë ta tregojnë gjithnjë e më shumë. Partizani luajti mirë, është e vështirë të flasësh për titullin.

Kjo ndeshje mund të dilte dhe barazim. Partizani na vuri në vështirësi, humbi edhe penallti. Në ndeshje të tjera nuk mund të veprosh kështu, po të lëshosh kështu terren, mund edhe të ndëshkohesh. Për penalltinë nuk jam i bindur, sepse nuk e kam parë në televizor. Nuk arrij ta dalloj as pas pamjeve këtu”.

Shpesh te Teuta “vërsulen” drejt arbitrave dhe trajneri Martini e komenton kështu këtë temë: “Ne e diskutojmë shpeshherë këtë temë. Aleksi ka temperament të tillë, gjëra të tilla na ndodhin edhe në stërvitje. Ka grintë dhe shpirt dhe e tepron njëçik.

Kallaku ishte kapiten, i takonte të kërkonte llogari te gjyqtari. Duhet të jemi shumë më të qetë. Kartonët e verdhë e dëmtojnë ekipin në ndeshjet e tjera. Duhet bërë kujdes, sidomos kur bëhet fjalë për kartonë të marrë për protesta”.

A është kjo Teutë më e mirë se e sezonit të shkuar? Martini deklaron: “Jemi më mirë se vitin e kaluar. Janë lojtarë të rinj në mbrojtje, sikurse dhe portieri. Ka ikur Bregu, është rikthyer Kallaku. Jemi më mirë. Me përjashtimin e 2-3 lojtarëve që kanë ardhur vonë dhe nuk janë në formën optimale.

Mos harrojmë që kemi edhe Enco Vilën e dëmtuar. Them që do të jemi më mirë se vitin e shkuar. Gorgiev vrapon shumë, konsumon shumë energji. Gjithsecili ka të mirat dhe të këqijat e veta. Shpresoj që do të na ndihmojë shumë. Kemi lojtarë të tjerë që mund ta zëvendësojnë. Është një pikë e mirë e ekipit tone”.

Martini foli edhe një herë për tërheqjen e ekipit të tij pas shënimit të golit: “Goli na imponoi që të ktheheshim, për meritë edhe të Partizanit. Duhet të ishim më të qetë në qarkullin e topit. Bëmë gabime në mesfushë. Shumë gjëra duhet të riparohen. Ishte dhe meritë e Partizanit mënyra se si ne luajtëm sot”.