Një start të tillë si ai i djeshmi ndoshta nuk e kishte çuar në mend asnjë shkodran, megjithatë Vllaznia i ka surprizuar të gjithë me atë fitore në shifrat 5-3 në Laç. Natyrisht ndodh që një skuadër të fitojë në transfertë, por t’i shënosh Laçit 5 gola në fushën e tij vështirë të ketë ndodhur ndonjëherë gjithë këto vite.

Skuadra shkodrane tregoi vlera dhe ndonëse ka vend ende për korigjime sidomos në mbrojtje, padyshim që për t’u vlerësuar është manovra sulmuese e saj. Trajneri Thomas Brdariç është partizan i lojës ofensive dhe i tillë, gjithnjë i orinton lojtarët përpara.

Kuptohet që nga kjo mënyrë loje, ndodh edhe që të penalizohesh, megjithatë deri tani gjërat i kanë shkuar mirë.Në Laç Vllaznia i kënaqi të gjithë dhe kjo në fakt është shumë e rëndësishme, përpos tre pikëve me të cilat e nisi kampionatin.

Fitorja 5-3 në Laç po ashtu ka entuziasmuar të gjithë tifozët shkodranë të cilët mendojnë se Vllaznia e sivjetme do të jetë sërish pretendente. Por festa në kampin kuqeblu ka përfunduar mbrëmë. Nga sot, të gjithë pjestarët e tij kanë nisur të mendojnë për sfidën e rradhës, atë që do të luajnë të shtunën e ardhshme në “Loro Boriçi”‘ ndaj kampionëve të Teutës.

Ndaj këtij kundërshtari, Vllaznia ka shumë arsye pse i duhet të fitojë. Në rradhë të parë për të marrë hakun e titullit të sezonit të kaluar dhe po ashtu edhe të ndeshjes së Superkupës.

Kuptohet që fitorja ndaj Laçit nuk do të ketë shumë vlerë nëse nuk pasohet me një tjetër ndaj Teutës. megjithatë nuk do të jetë e lehtë sepse kampionët e vendit kanë edhe ato synime ambicioze në sezonin e ri./SHKODRA-SPORT.COM/