Rikthehet kampionati, LUP-JAVA në edicionin e dytë të saj

12 Shtator 2017
Author :  

Opinion nga Ervin BAKU

Pas një pauze relativisht të gjatë, më në fund ka startuar edicioni i 79-të kombëtar i Kategorisë Superiore. Dhjetë ekipet në garë Kukësi, Partizani, Skënderbeu, Luftëtari, Teuta, Laçi, Vllaznia, Flamurtari, Kamza dhe Lushnja pas një faze përgatitore relativisht të mbarë, luajtën pardje dhe dje aktin e parë.

Pretendentët, Skënderbeu dhe Kukësi i bënë mirë detyrat, ndërsa tjetra, Partizani dështoi keq në këtë start. Nisur nga prognozat e kompanive të basteve, tri skuadrat pretendente patën shfaqje ndryshe pasi vetëm Skënderbeu bindi me lojë duke thyer një rival tjetër të denjë siç është Flamurtari i Vlorës. Në fakt, “ujqërit” tashmë me “look” europian pritej të dominonin dhe të tregonin vlerat që mbartin. Në kampin bardhekuq, talentët nuk kanë të sosur teksa me një sulmues race si Ali Souej dhe shumë kualitete në “rozë” premtojnë të bëjnë emër dhe në grupet e Europa League. Tërësisht në “shina”, skuadra e Dajës, me hap kampioni. Edhe Flamurtari i “ri’ nuk është për t’u kryqëzuar. Pjesa e parë ishte deri diku e mirë dhe lufta e fortë sportive shoqëruar me disa lëvizje taktike dhanë idenë se skuadra e Duros do të jetë me tjetër “lëkurë” në të dytën. Veçse goli i dytë i vendasve dhe dorëzimi në minutat e fundit tregojnë se vlonjatët kanë ende punë në aspektin e harmonizimit. Kukësi gjen në shtëpi Kamzën. E ndërsa pritej që verilindorët të dominonin e të fitonin pa shumë vuajtje, ka ndodhur e kundërta. Një penallti e kthyer në gol nga një futbollist klasi si Bakaj ka bërë që skuadra dhe Milinkoviç të kalojnë klasën. Dështimi në Superkupë dhe loja e tyre ndaj Kamzës nuk përligjën siç duhet besimin e presidentit Gjici. Doni një skuadër tjetër nga kryeqyteti? Domosdo që Kamza (nëse mund të konsiderohet e tillë) është rasti tipik. Ndreu, trajneri i kamzalinjve e udhëzoi mjaft mirë skuadrën dhe me elementët e afruar nga Qarri, deomos që ka shumë për të thënë. Teuta kapërcen “Luftëtarin” në duelin që kurorëzoi “mbretër” djemtë e detit. Së paku për një javë. Magani thotë se na kanë fryrë mediat, ama në të vërtetë, durrsakët premtojnë shumë këtë kampionat. Gjirokastritët e para skuadër këtë edicion që konteston. “Na vodhën” shprehen nga kampi bluzi. Një karton i kuq i dhënë shpejt ndaj skuadrës më të penalizuar sezonin e kaluar ka kthyer makthin e “njerkës”. Për t’u parë ecuria e tyre, një ekip simpatik me dy lojtarë klasi si Abazaj e Bregu. E nëse dhe Shkurtaj do të jetë aty, gjithçka mund të shkojë “vaj” për jugorët. “Loni Papuçiu” është “gjallë”. Qyteti i Fierit dikur i famshëm me Majacin sot gjendet një kategori më poshtë, mirëpo në “Apolloni” luhet një sfidë Superioreje. Lushnja jo ende gati për të pritur në shtëpi, e ka bërë këtë te fqinjët ndërsa në radhë ka rezultuar Vllaznia. Shkodranët kanë vendosur menjëherë veton duke fituar pastër 0-2. Kjo Lushnjë e ka disi të vështirë të përballojë klasin e Vucajt, Hasanit dhe G. Likës. Ishin tre “xhevahirët” e kthyer në shtëpinë kuqeblu që morën përsipër fatet e shkodranëve të Cungut. Dramë në të fundit ndeshje të javës së parë. Partizani pritës në “Selman Stërmasi” papritmas “shkrumbohet” nga Laçi i Kurbinit. Të kuqtë e “italianizuar” në fushë dhe drejtim bënë fare pak për të bindur se këtë sezon do të jenë “violinë” e parë. Lojë apatike dhe pak rendiment. Befasojnë drejtuesit me atë masë ndëshkimore ndaj kapitenit Hoxha që la portën. Mungesa dhe amulli në ndërtimin e formacionit ku shumë nga ata që priteshin në fushë ndoqën nga stoli. Nga ana tjetër Laçi i Nicës dhe suksesi madhor i bardhezinjve. Kanë pritur kundërshtarin dhe në fund kanë goditur dy herë. Nica strateg? E habitshme që një teknik si ai është mënjanuar ndër vite për të drejtuar pankina të pjacës së lartë. Tjetër gjë kjo pasi dje ai i besoi sërish disa futbollistëve të rinj që ia shpërblyen më së miri. Tri pikë që e rendisin Laçin në vendin e parë së bashku me Skënderbeun, Vllazninë, Kukësin dhe Teutën... Ishte vetëm java e parë, kampionati i 79-të, i gjithi për t’u ndjekur...! Sikundër “LUP-JAVA”, e vetmja “analiste” që nuk nguron të shohë hakën!

176 Views
Administrator
We use cookies to improve our website. Cookies used for the essential operation of this site have already been set. For more information visit our Cookie policy. I accept cookies from this site. Agree