LUP-JAVA, CUNGU GJEN QETËSINË

26 Shtator 2017
Author :  

Opinion nga Ervin BAKU

Të mbërthyer para ekranit apo në stadium, faktori sportiv në vend ishte tejet i interesuar për duelin më të zjarrtë të javës. Atë mes korçarëve dhe Partizanit. Sfida e cila i përligji tërësisht pritshmëritë, në fund nxorri fitues vendasit e Ilir Dajës në shifrat bindëse 2-0.

Pas një pjese të parë të dominuar lehtë nga vendasit, në të dytën bardhekuqtë treguan se janë skaudra më e mirë e kompeticionit. Nëse ndokush ka pikëpyetje për ndeshjen më të mirë të korçarëve këto vitet e fundit, lipset të vendosë. Ndihmuar dhe nga "Lup-Java". Po! Ishte ndeshja më e mirë. Në të gjithë komponentët. Dëshirë, vrull, cilësi, saktësi, spektakël, gola. Daja e hodhi në "tapet” Julin e “kuq”. Arma efikase me dy mbrojtësit e krahëve Mici e Vangjeli spikati deri në atë masë, saqë ish-mbrojtësi i Juves, tashmë në timonin e Partizanit, nuk ishte në gjendje të operonte asgjë...! Partizani është po ai i javëve të para. S'ka gol...! Amullia vijon dhe tifozët e shumtë të kryeqytetasve me të drejtë kërkojnë "koka". Pas Çanit inekzistent, dhe Sukaj me shokë jo në lartësi. Partizani, i fundit në tabelë. "Lup-Java" mund të qëndronte disi më gjatë me kryendeshjen, por në "sofër" janë edhe ekipet e tjera që në mënyrën e tyre mbyllën llogaritë e javës. Bie Teuta dhe bashkë me të edhe prognoza se “djemtë e detit" mund të rivalizojnë tre të parat. Pyesni Duron me "florinjtë" e tij Bushiç e Alvesh. "Flota" udhëton në det të qetë...! Edhe një penallti inekzistente e akorduar nga gjyqtari Cjapi nuk e pengon. Gjesti i Kreshnikut shqetëson. Siç duket, edhe këtë sezon, te pika e bardhë e 11-metërshit do dalë përsëri tymi i zi. Me dhe pa "gabime njerëzore"... Edhe Kukësi e bëri mirë detyrën e shtëpisë. Ndaj Laçit, dukej se vendasit do të luanin më me presion. Veçse në fushë ishte ndryshe. Për shumë minuta Milinkoviç i priti bardhezinjtë derisa shënoi golat e sigurisë. Nga ana tjetër, Laçi i pritshmërive duket se nuk ka dhe aq fuqi. Pavarësisht se talentit Xhixha iu mohua një gol (do të rezultonte barazimi momental në pjesën e dytë), ndërsa 19-vjeçari as që tentoi të protestojë. Imazh...! Në jug luajnë Luftëtari dhe Vllaznia. Këto dy skuadra shquhen për lojën dhe kualitetet individuale ama në "tokën e butë", Abazaj, Bregu apo Hasani,Lika nuk ia dolën të nxjerrin një gol. Cungu gjen qetësinë pikërisht në qytetin ku admirimi i së shkuarës nuk mungon. Lushnja merr pikën e parë në Fier. Qarri dhe Ndreu, të pakënaqur me pikën. Në pritje të ndeshjeve të kthimit në Kupë të mërkurën. Por...ka gjithnjë një "por"! Java do të ofrojë "por-in" më të madh teksa Skënderbeu europian do të presë në Elbasan zviceranët e Jang Bojz. Ndeshja e dytë e "ujqërve" në grupe të Europa League. Sfidë...për t’u fituar. "Skënderbe" brilant...!

507 Views
Tag :
ShkodraSport
We use cookies to improve our website. Cookies used for the essential operation of this site have already been set. For more information visit our Cookie policy. I accept cookies from this site. Agree