Historike! Një boksiere shkodrane do marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik

08 Tetor 2017

Më 16 tetor në Sofje të Bullgarisë do të zhvillohet Kampionati Ballkanik i boksit për femra. Për herë të parë në një aktivitet të tillë do të përfaqësohet edhe Shqipëria me një sportiste dhe kjo padyshim që përbën një risi për boksin shqiptar. Nëse deri më tani jemi përfaqësuar vetëm me meshkuj, tashmë do të matemi me vendet e tjera edhe me femrat.

Edhe në këtë aspekt, është pikërisht Shkodra ajo që hedh siparin duke u bërë qyteti i parë që do të nxjerrë një sportiste të tillë. Bëhet fjalë për Elda Selajn. Ajo ka kohë që ka nisur përgatitjet për këtë eveniment nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Jetmir Kuçi. Ky i fundit në një prononcim për gazetën "Shkodra Sport" do të shprehej: "Ne do të synojmë për medalje me Eldën në Sofje. Ka një peshë shumë të mirë për të konkurruar dhe për të pretenduar sepse unë e di se çfarë ndodh me boksin e femrave në Europë dhe në Botë. Vetë pjesmarrja e kësaj sportisteje në këtë eveniment është shumë e rëndësishme dhe domethënëse por ne nuk do kënaqemi me kaq. Unë ia njoh konkurrentet e saj në Ballkaniadë dhe besoj se me formën që ka, me stërvitjen që ajo ka bërë, ju siguroj që nuk do të kthehemi pa medalje nga Bullgaria". Elda Selaj do të konkurrojë në peshën 75 kg dhe ajo pak ditë më parë, pikërisht në ndeshjet finale të kampionatit kombëtar të boksit për të rritur, zhvilloi një ndeshje promovouese kundër një boksiereje kosovare, pikërisht Hana Xhemajlit të cilën e fitoi me rezultatin 3-0.

© shkodrasport.com

We use cookies to improve our website. Cookies used for the essential operation of this site have already been set. For more information visit our Cookie policy. I accept cookies from this site. Agree