Gilman Lika: Vllaznia e ka për detyrë të fitojë ndaj Flamurtarit

11 Tetor 2017

Të enjten në orën 14.00 në stadiumin "Loro Boriçi" do të luhet ndeshja Vllaznia- Flamurtari. Një përballje e rëndësishme për të dy skuadra por në veçanti për atë shkodrane ngaqë luan në fushën e vet dhe deri më tani ka shfaqur jo pak oshilacione në ecurinë e saj. Kapiteni i saj Gilman Lika, në konferencën e sotme për shtyp, ka premtuar se objektivi i kuqebluve në këtë sfidë është vetëm fitorja.

"Kjo periudhë 10 ditore pa ndeshje na ka shërbyer për të përmirësuar formën tonë sepse kemi zhvilluar seanca shtesë ngaqë jo të gjithë lojtarët kanë patur formën e duhur. Na duhet të bëhemi gati dhe të fitojmë ndeshjen e rradhës me Flamurtarin. Një fitore që do të vlente për tifozët por edhe për veten tonë sepse do të na ndihmojë shumë për ecurinë e mëtejshme. Nuk do të jetë e lehtë sepse Flamurtari ka treguar deri më tani se ka një skuadër shumë solide megjithatë jemi të vendosur për të kërkuar fitoren"- ka thënë ai.Sakaq kapiteni i Vllaznisë në prononcimin e tij po ashtu u ka bërë thirrje edhe tifozëve dhe në veçanti grupimit "Vllaznit Ultras" për të qenë në stadium dhe për ta përkrahur skuadrën se ajo ka nevojë për ta."Kjo është një çështje për të cilën kam dashur të flas këto kohët e fundit. Mungesa e grupimit "Vllaznit Ultras" në stadium na ka dëmtuar shumë. Nuk e di arsyen e saktë por u bëj thirrje edhe drejtuesve të klubit të ulen e të bisedojnë me ta për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit sepse kjo është në të mirën e të gjithë neve, është në të mirën e Vllaznisë mbi të gjitha"- ka thënë Lika.
© shkodrasport.com

We use cookies to improve our website. Cookies used for the essential operation of this site have already been set. For more information visit our Cookie policy. I accept cookies from this site. Agree