Elvis Plori: Një ditë do të kthehem tek Vllaznia

14 November 2017

Futbolli i moshave është ai ku “gatuhet” vazhdimësia dhe talenti i ri në këtë sport. Moshat janë një pjesë e rëndësishme të zinxhirit të gjatë të futbollit dhe për këtë arsye duhet t’iu kushtohet shumë rëndësi. Për këtë çështje, ne nje interviste te dhene për Newsport.al ka folur trajneri i Internacional, Elvis Plori.

Trajneri shkodran është ndalur te futbolli i moshave por gjithashtu nuk lë pa “shkëputur” edhe një mendim për Superligën dhe ecurinë e kampionatit.
– Ju jeni trajner moshash te Internacional. Si duket ky kampionat për ekipin tuaj?
Kampionati i Superligës për moshat mund ta them me plot gojën se ka një rritje profesionale. Kjo për arsyen se këtu tani po punojnë shumë trajnerë me emër dhe profesionistë. Infrastruktura gjithashtu është përmirësuar dukshëm.
– Mund të përcaktoni një objektiv për ekipin tuaj?
Objektivat për ne si akademi dhe ekipin tim është që të konfirmohen lojtarët e rinj. Ne duam që lojtarët tanë të kapin ekipet kombëtare dhe të kalojnë testet në ekipet europiane.
– Më mirë fitim trofesh apo konfirmim dhe nxerrje talentesh për futbollin shqiptar?
As që e diskutoj që më mirë është nxerrja e talenteve dhe mundësia që u duhet dhënë për të bërë kontrata profesioniste në klubet e huaja. Ne si akademi jemi të kënaqur me arritjet tona sepse dy sportistat e fundit që u larguan nga ekipi im firmosën në Itali. Bozhanaj te Empoli dhe Lucaj te Verona.
– Beson se ka ardhur koha që ekipet kombëtare të moshave të besojnë më tepër të futbolli vendas?
Nuk besoj akoma te kjo sepse akoma serioziteti dhe kushtet që u janë krijuar sportistëve në Shqipëri nuk janë aty ku vendet e tjera kanë krijuar . Ne na mungon mënyra shkollës së sportit, ushqimi dhe qendrat e grumbullimit.
– Si një njohës i futbollit si e shikon Superligën këtë sezon?
Mund të them se Superliga ka marrë një rrjedhë interesante. Ka protagonistë të rinj kjo për shkak se ekipet e traditës nuk po shfaqin vlerat e tyre.
– Skënderbeu drejt shpalljes kampion ndoshta që në janar. Meritë e korçarëve apo jo nivel i lartë i kundërshtarëve ?
Është më tepër meritë e Skënderbeut. Ekipi korçar ka krijuar një bosht të fortë dhe pikat lojtarët që bëjnë diferencën në kampionatin tonë. Plus ka një organizim shumë të mirë.
– Vllaznia, aty ku keni punuar shumë vite është në një gjendje shumë të dobët. Çfarë iu mungon shkodranëve?
Vllaznisë ka shumë vite që i mungon kërkesa e llogarisë së një presidenti dhe një lideri në skuadër. Te ekipi i Vllaznisë çdo person që punon në klub përfshirë edhe lojtarët nuk duan të marrin përgjegjësi por të bëjnë detyrat si është mësuar shqiptari i rëndomtë dhe të marrin rrogat.
-A do të shikojmë një ditë në krye të stolit kuqeblu me që emri juaj është përfolur shpesh për postin e trajnerit të Vllaznisë?
Është e vërtetë që emri im është përfolur shpesh në këto vite. Por gjithmonë ka supriza dhe mospërputhje mendimesh. Gjithsesi Vllaznia është në zemrën time dhe e kam drejtuar që në moshën 30 vjeçare dhe një ditë do kthehem aty.
– Kombëtarja arriti një fitore të bukur mbrëmë ndaj Turqisë. Ndryshim mentaliteti apo ishte thjesht një miqësore?
Një ndeshje miqësore që shërbeu për të parë lojtarët e rinj. Nuk besoj se mentaliteti ka ndryshuar se moduli ishte i njëjtë por mund të them se lojtarët e interpretuan shumë mirë.
-Botërori s’do ketë as Hollandën e as Italinë. Tani në sport nuk ka më vlerë tradita dhe historia por vetëm investimi dhe menaxhimi?
Ekipe si Hollanda dhe Italia i kanë dhënë sinjalet sepse u bënë vite që nuk tregojnë vlera me ekipet e moshave. Duhet të ndryshojnë në strategjitë te futbolli i moshave për tu rikthyer te sukseset

We use cookies to improve our website. Cookies used for the essential operation of this site have already been set. For more information visit our Cookie policy. I accept cookies from this site. Agree