Opinion nga Ramazan Rragami

Shoh me vëmendje se tek Vllaznia apo dhe tek Tirana, në këto ndeshjet e fundit të këtij kampionati, kanë filluar të aktivizohen një numër i konsiderueshëm lojtarësh të rinj. Kjo është shumë pozitive dhe në fakt është e mirë që ata të rinj të evidentohen edhe për sezonin e ardhshëm. Por, praktikisht këto të rinj nuk arrijnë të depërtojnë tek skuadra e parë edhe sezonin e ri sepse ndodh ndryshimi i trajnerëve, ndryshimi i presidentëve dhe gjërat bëhen lëmsh.

Këta të fundit mendjen e kanë të mbledhin lojtarë ngado që të kapin rezultatin shpejt e shpejt. Por, sikur 2-3 lojtarë të rinj të përfitohen, do ishte gjë e mirë sepse ata do luanin më pas 10 vjet rresht për Vllazninë. Tifozët shkodranë i duan lojtarët e rinj megjithatë edhe vetë këta të fundit duhet të punojnë shumë për të zënë një vend në ekipin e parë. Të marrim rastin e Bardullës dhe Krujës që spikatën në ndeshjen e fundit me Teutën. Ato spikatën vetëm në cilësi fizike sepse në aspekte të tjera nuk dhanë ndonjë gjë të madhe në fushën e lojës.
Ka qenë një praktikë e bukur që kemi ndjekur pak vite më parë tek Vllaznia. Ish- presidenti Fushaj na mblodhi ne disa specialistëve për të testuar disa futbollistë të rinj. Në fakt nuk kanë qenë pak, kanë qenë rreth 30 të rinj që kemi testuar. Testimet kanë qenë shumë profesionale, pa u nisur tek emrat dhe gjëra të tjera. Mbaj mend se në fund se numri 1 që kishim përzgjedhur në këtë testim ishte Vajushi që tashmë luan në Bullgari, numri 2 Ansi Nika që luan me Teutën etj. Ishte një përzgjedhje shumë profesionale sepse edhe atë periudhë patëm paragjykime fillimisht se kush është Vajushi, ka hyrë me hatër e gjëra të tilla. Unë kam qenë dhe jam i mendimit se Shkodra ka sportistë të mirë, ka edhe një grup specialistësh të mirë dhe jam i mendimit se duhet ngritur një grup i tillë për të bërë një seleksionim profesionist. Të zgjidhen 10-12 më të mirët. Kuptohet që jo të gjithë do hyjnë tek skuadra e parë. Kërkush nuk flet kur zgjidhen më të mirët. Atëherë debati duhet bërë me trajnerin që vjen. Ai kurrsesi nuk duhet t’i largojë të gjithë këta të rinj. Në asnjë vend të botës nuk ka një skuadër futbolli pa një bazë të futbollistëve të saj. Duke qenë kjo bazë, trajneri që vjen shton edhe disa të tjerë dhe skuadra krijohet.Përpos kësaj, këta të rinj që shkojnë tek ekipi i parë, domosdoshmërisht duhet të shoqërohen edhe nga një trajner i Akademisë që ua njeh mirë vlerat atyre. Mbase kjo mund të bëhet me rotacion se kush duhet të shkojë. Tek Vllaznia gjërat nuk janë bërë ashtu siç duhet dhe shpresojmë që të mos vazhdojnë të bëhen këto gabime sërish edhe në të ardhmen.
E them këtë sepse kam dëgjuar dhe lexuar që drejtuesit e Vllaznisë kanë hyrë këto ditë në bisedime me Ahmataj. Ai është 34 vjeç. Ndërkohë 33 kemi në skuadër edhe Beqirin. Mbase jam i nxituar por unë do të thosha se Vllaznia nuk ka nevojë për xhaketa të kthyera. Ai do të vononte të përshtatej me lojën e skuadrës sepse ka mënyrën e vet të të luajturit. Nuk duhet të shkojmë deri në këtë pikë sepse në fund të fundit, ai nuk do na shpëtonte nëse do vinte në Shkodër. Ai luan mbrojtës në fund të fundit. Duke ardhur ai njëkohësisht i presim perspektivën edhe Markut apo ndonjë lojtari tjetër shkodran që luan në atë pozicion. Përpos kësaj jam i mendimit se pagesat në futbollin shqiptar janë shumë më të mëdha nga sa duhen. Duhet vënë një tavan për rrogat dhe pastaj duke përdorur edhe shpërblimet, sportistët mund të motivohen më tepër. Prandaj tek Vllaznia mendoj se ka ardhur koha të ndiqet një strategji tjetër, për të ndërtuar një skuadër për të ardhmen.