Vllaznia në basketboll për meshkuj ka arritur edhe fitoren e gjashtë rradhazi në kampionat duke patur pikët e plota dhe duke mbajtur vendin e parë në renditje. Fitorja e djeshme në fakt është për rekord pasi basketbollistët shkodranë kanë mundur me plot 63 pikë diferencë ekipin e Apolonisë së Fierit. Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit dhe nuk ka patur fare rivalitet. Djemtë e trajnerit Bledar Gjeçaj e kanë dominuar takimin nga fillimi e deri në fund duke mos u vënë asnjëherë në vështirësi nga kundërshtari.

Ato e kanë fituar periodën e parë në shifrat 27 me 9 e kjo epërsi ka ardhur duke u thelluar edhe më shumë në të dytën që është fituar sërish nga Vllaznia me rezultatin 23 me 12. Kështu, dy ekipet kanë shkuar në pushimin e ndeshjes me 29 pikë diferencë. Por kjo diferencë do rritej shumë në dy periodat e tjera teksa e treta do mbyllej në shifrat 32 me 10 dhe e katërta më rezultatin 26 me 14. Në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja është mbyllur me shifrat e thella 108 me 45. Pikërisht ky rezultat tregon për disnivelin e madh në mes dy ekipeve por edhe për atë se Vllaznia sivjet është e vendosur për ta mbrojtur titullin kampion. Rivali i saj kryesor duket se do jetë sërish ekipi finalist i sezonit të kaluar- Tirana. Kjo ngaqë Kamza Basket sivjet nuk po luan në nivele të larta madje ditën e djeshme ajo është mundur edhe nga Partizani. E rëndësishme gjithsesi është që ekipi shkodran të vazhdojë serinë e fitoreve rradhazi për ta mbajtur vendin e parë në kampionat deri në fund të tij.

© shkodrasport.com