Grumbullimi i rradhës i kombëtares Shpresa, që do të nisë nesër në Durrës do të ketë brenda edhe dy futbollistë të ekipit të Vllaznisë. Bëhet fjalë për Ardit Krymin dhe Rubin Hebajn. Kjo bëhet e ditur nga burime pranë klubit shkodran i cili është njoftuar sot për t’i lënë të lirë futbollistët në fjalë për të qenë pjesë e këtij grumbullimi që do të zhvillohet në prag të ndeshjes miqësore që kjo kombëtare do të zhvillojë më datë 5 qershor ndaj Francës.

Sigurisht që kemi të bëjmë me dy futbollistë të cilët e meritojnë një ftesë të tillë pasi në sezonin që sapo u mbyll kanë qenë shumë të rëndësishëm për Vllazninë. Sidomos Krymi, një lojtar i cili është prej sezonesh titullar i padiskutueshëm i formacionit kuqeblu ndonëse ende nuk i ka mbushur 21 vjeç. Nga ana tjetër, edhe thirrja e Hebajt nuk është ndonjë risi pasi ai ka qenë më parë pjesë e të gjitha ekipeve kombëtare të moshave dhe paraqitjet e mira që ka zhvilluar së fundi edhe me skuadrën shkodrane duke shënuar edhe katër gola për të, kanë tërhequr edhe vëmendjen e stafit të kombëtares Shpresa që nuk kanë ngurruar ta ftojnë për ndeshjen e rradhës. Për më tepër që kemi të bëjmë me një futbollist të perspektivës i cili muajin e ardhshëm do të mbushë 19 vjeç. Përveç këtyre dy futbollistëve, nuk do të ishte çudi që nga Vllaznia të kishte edhe ndonjë futbollist tjetër si Çinari, Vecaj e ndonjë tjetër.

© shkodrasport.com