Mesfushori portugez i Inter-it, Joao Mario, ka rrëfyer aventurën e tij me fanellën zikaltër dhe si është transformuar gjatë vitit të fundit.

NË MAKSIMUM – “Në disa raste, në fund të ndeshjes, mendoja se të paktën kisha dhënë maksimumin në fushën e lojës, edhe pse nuk kisha bërë një paraqitje shumë të mirë në aspektin teknik. Por shikoja që njerëzit ishin të zemëruar për sjelljen time dhe, për rrjedhojë, më është dashur të ndryshoj dhe të përmirësohem”.

TITULLAR – “Një vit më parë mendoja se gjërat do të shkonin mirë. San Siro është pak i komplikuar, më është dashur të kem durim. Në të kaluarën isha shumë i shqetësuar për gjërat që nuk mund të kontrolloja. Diçka që kam mësuar është se ka gjëra që nuk mund t’i kontrollosh edhe kur jep maksimumin. Duhet të ruash qetësinë, sepse mundësia do të paraqitet herët ose vonë. Ka qenë e vështirë për mua të mos luajë shumë ndeshje, por kjo situatë më ka ndihmuar të rritem”.

RILINDJA – “U riktheva titullar me Roma-n, nuk e prisja. Ishte një ndeshje e vështirë në transfertë. Më është dhënë një mundësi dhe e dija se duhej të jepja gjithçka për të patur vazhdimësi. Spalletti mundohet t’i ndihmojë të gjithë në aspektin psikologjik”.

CHAMPIONS – “E dija që nuk do të isha pjesë e listës së lojtarëve që do të luanin në Champions për shkak të Fair Play-t Financiar. Kemi rënë në një grup me dy skuadra të forta. Më vjen keq që nuk kemi arritur të kualifikohemi”.

RONALDO – “Cristiano Ronaldo? Gjatë Botërorit ka folur për mundësinë e largimit nga Real Madrid. Do të kishte qenë më mirë po të kishte ardhur te ne, por nuk i dihet në të ardhmen (ka qeshur). E rëndësishme është që ai të jetë mirë. Po tregon cilësitë e tij edhe në Itali, do të paraqitet shumë mirë”. /telesport/