Luftëtari ka prej vitesh një kapiten shkodran, pikërisht Behar Ramadanin, por karriera e tij është zhvilluar më shumë në Gjirokastër, ku deri më tani ka luajtur plot 7 sezone në dy periudha të ndryshme. Ndërsa çuditërisht te Vllaznia 29-vjeçari ka luajtur vetëm dy ndeshje në sezonin 2013-2014.

Cilësitë e mesfushorit nuk janë vlerësuar si duhet në Shkodër, ndërsa ai ka gjetur veten në Gjirokastër, ku mbylli kampionatin e tij të katërt radhazi. Tashmë që Ramadani është kthyer në një prej lojtarëve më të mirë në rolin e tij në Superiore, te Vllaznia kujtohen t’i bëjnë ofertë.

Mësohet se së fundmi drejtuesit shkodranë kanë kontaktuar me mesfushorin, por pa gjetur një akord final. Dihet që situata te shkodranët nuk është e mirë dhe e varur nga bashkia, kështu që edhe sikur Ramadani të bindej, nuk firmoste dot një marrëveshje zyrtare.

Nga ana tjetër, klubi kuqeblu interesohet edhe për mesfushorin e gjirokastritëve, Donald Rapo. Në ndryshim nga Ramadani, i cili është lojtar i lirë, Rapo është nën kontratë me Luftëtarin edhe një sezon. Gjithçka mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet, por mësohet se administratori Suad Lici ka folur me të dy lojtarët, duke i paraqitur kërkesat e tyre./panorama-sport/