Barazimi 1-1 ditën e djeshme kundër Debrecenit, e eliminoi Kukësin nga turi i parë i Europa League duke i dhënë fund në këtë mënyrë rrugëtimit në këtë kompeticion.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka bëri një paraqitje pozitive, megjithatë nuk arriti t’ia dilte përballë hungarezëve të cilët kishin fituar ndeshjen e parë me rezultatin 3-0.

Pikërisht kjo disfatë ka mërzitur jashtë mase presidentin Safet Gjici i cili pas ndeshjes ka deklaruar për mediet se do të marrë masa.

Sipas tij fillimisht do të jetë stafi teknik që do të japë llogari për atë që ndodhi ndaj Debrecenit dhe më pas disa lojtarëve do t’u jepen duart për të vijuar diku tjetër karrierën.

Në fakt një gjë e tillë pritej dhe ishte paralajmëruar prej kohësh. Edhe vetë trajneri Gjoka u shpreh pas sfidës se është me çantë në dorë duke lënë të nënkuptohet se e pret një shkarkim të mundshë.

Nëse tekniku kryeqytetas do të largohet, atëherë Ilir Daja shihet si zëvendësuesi ideal që mund ta çojë këtë Kukës drejt objektivave madhorë./newsport/