“Vllaznia duket se është në rrugën e duhur”. Këtë beson dhe e deklaron lojtari “xhol” i ekipit shkodran, Ndriçim Shtubina, në një intervistë të tij për “Panorama Sport”. Lojtari po sfidon edhe moshën, duke qenë protagonist në dy takimet e para me ekipin e qytetit të tij, pjesë e të cilit u bë vetëm pak javë më parë.

Ai në përballjen me Bylisin u aktivizua në mbrojtje, ndërsa një javë më parë ishte përkrah dyshes së mesfushës. Ky fakt për Shtubinën nuk përbën problem të rëndësishëm. Për të primar mbetet marrja e rezultateve. Shtubina është optimist që edhe ndaj Tiranës, rivales historike, Vllaznia do të arrijë të ruajë ritmin e këtyre dy takimeve të para.

Shtubina, mendoj se jeni i kënaqur me startin e këtij sezoni?

Mendoj se gjërat kanë shkuar mirë për ne. Edhe në takimin me Bylisin, mund të kishim arritur edhe më tepër, pasi i patëm mundësitë. Gjithsesi, mund të them se jam shumë i kënaqur me këtë start. Mendoj se jemi në rrugën e duhur.

Çfarë ka ndryshuar te skuadra juaj?

Djemtë po tregojnë një grintë për t’u habitur nga minuta e parë në atë të fundit. Në aspektin e përgatitjes fizike jemi mirë dhe kjo u pa edhe ndaj Bylisit, ku kishim një freski edhe pas 90- minutëshit.

Shtubina, pardje u kthyet sërish në “xholin” e skuadrës. Tekniku Jonuz ju vendosi në të djathtë të mbrojtjes…

Trajneri ma kërkoi një gjë të tillë dhe unë natyrshëm që iu përgjigja pozitivisht. Më pas kemi diskutuar me ta dhe më tha nëse do të isha i gatshëm për të luajtur në atë pozicion. Më duket se gjërat shkuan mirë dhe kjo, për më tepër, për të mos hedhur poshtë edhe besimin e teknikut.

Nesër një supersfidë ajo me Tiranën. Në radhë të parë, problem për ju që keni zhvilluar tri ndeshje në një javë?

Normale. Jo për ne, por për çdo skuadër. Ne akoma nuk kemi marrë veten nga ritmet e përgatitjes dhe menjëherë tri ndeshje, njëra më e fortë dhe më e vështirë se tjera. Për më tepër, të luash në orën 16:00 në këto temperatura të larta është me të vërtetë sfilitëse.

Para tri sezonesh nuk ishit pjesë e asaj finaleje të mbijetesës ndaj Tiranës, për arsye dëmtimi. Keni pasur një peng apo nesër do të jeni për të arritur një tjetër triumf ndaj kësaj skuadre?

Përherë përballja me Tiranën është një finale më vete. Luajnë dy nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar. Përherë takime të tilla janë derbi. Më ka ardhur keq që s’kam qenë pjesë e atij takimi, i cili kishte vlerat e një sezoni. Atëherë më kanë gëzuar shokët. Nesër do të kërkoj së bashku me ta të mbajmë ritmet e dy takimeve të para dhe të arrijmë një tjetër rezultat pozitiv. Ne do të hyjmë në lojë për fitore, pastaj takime të tilla i kanë të tria rezultatet brenda.

Në atë takim patët mbështetjen e tifozërisë e për më tepër i lumturuat ata. Besoni që do ta bëni të njëjtën gjë edhe në këtë përballje?

Tifozët janë një mbështetje e madhe për ne. Ata ishin pjesë e madhe në atë sukses. Për më tepër që unë jam edhe pak supersticioz dhe nuk dua që këtë radhë t’u bëj thirrje të jenë në stadium. Sa herë që ne u kemi bërë thirrje për mbështetje, ata kanë qenë të gatshëm, por ne i kemi zhgënjyer. Ata do të jenë të shumtë në stadium, pa pasur nevojë për thirrjen tonë. E ne, shpresoj, që t’u japim po atë kënaqësi që kanë ndier pas atij takimi të fundit që kemi luajtur ndaj Tiranës.