Shpërthimi publik i Karlo Ançelotit rreth gjendjes së ambienteve të brendshme të stadiumit “San Paolo” të Napolit para ndeshjes kundër Liverpulit, ka bërë bujë jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj.

Klubi publikoi pamjet ku shihej qartësisht se në ambientet e brendshme kishte ende shumë punë për të bërë pasi mungonin dushet e lavamanët, pa harruar shumë instalime të ujit.

Një situatë e cila është bërë temë diskutimi edhe në konferencën e Liverpulit, ku Jurgen Klop i ka kushtuar vëmendje gjendjes së impiantit italian.

“Shpresojmë që të sistemojnë gjithçka. Kam parë fotot, por kam besim se gjithçka do të organizohet në kohë, do ta kemi ndonjë dush e ndonjë vend për t’u zhveshur… ose ndoshta fotot janë të majit të kaluar. Gjithsesi, kam besim te UEFA, edhe pse nga pamjet që pashë, nuk duket një situatë e mirë”, tha trajneri në konferencën e sotme për shtyp.

Gjithsesi, Napoli sigurojnë se impianti do të jetë gati për sfidat e radhës të Napolit, si duelin e të shtunës ndaj Sampdorias, ashtu edhe për atë të së martës ndaj Liverpulit. /vipsport/