Klubet më të mëdha të Europës janë bërë gati të krijojnë Superligën e tyre, duke u shkëputur nga UEFA dhe duke tentuar që të anashkalojnë Ligën e Kampioneve. Sipas “Neë York Times”, klube si Juventus, Milan, Real Madrid, Barcelona, Mançester Junajtid, Liverpul e disa të tjerë, janë gati të krijojnë kampionatin e tyre dhe pasi kanë gjetur sponsorë, së shpejti do të prezantojnë projektin.

Megjithatë, ajo që nuk pritej, ishte reagimi i menjëhershëm i UEFA-s, e cila sot ka dalë me një deklaratë të përbashkët me Ligat kryesore në Europë, duke bërë të qartë se nuk do të kishte asnjë lloj kompromisi me këto klube. Përkundrazi, ato do të përballeshin me sanksione të rënda.

“Kemi mësuar se disa klube angleze, spanjolle dhe italiane, mund të jenë duke planifikuar që të lajmërojnë krijimin e një SuperLige të mbyllur.

Nëies kjo do të ndodhë, ne duam të saktësojmë se UEFA, kampionatet përkatëse, ashtu si edhe FIFA dhe anëtarët tanë, do të mbeten të bashkuar në përpjekjet tona për të ndalur këtë projekt cinik, i cili është i financuar për interesin e pak klubeve në një kohë kur shoqëria ka nevojë për solidaritet më shumë se kurrë.

Ne do të marrim në konsideratë të gjitha masat, në çdo nivel, si juridik, ashtu edhe sportiv, në mënyrë që të ndalojmë një gjë të tillë që të ndodhë, Futbolli bazohet mbi konkurrencën e hapur dhe meritën sportive, nuk mund të jetë ndryshe,

Siç ka bërë të qartë FIFA dhe të 6 konfederatat, klubet e përfshira do të përjashtohen nga luajtja në kompeticione të tjera kombëtare, Europiane, apo të ndonjë niveli tjetër dhe lojtarët e tyre mund t’u mohohet mundësia për të përfaqësuar ekipet e tyre kombëtare.

Ne falënderojmë të gjithë këto klube në vende të tjera, sidomos ato në Francë dhe Gjermani, të cilët refuzuan të firmosin këtë projekt.

Ne i bëjmë thirrje të gjithë atyre që dashurojnë futbollin, mbështetësve dhe politikanëve, që të na bashkohen që të luftojmë kundër një projekti të tillë nëse do të bëhej publik. Ky interes personal i pak klubeve, ka vazhduar më shumë se duhet. Tani mjaft më”, shkruhej në reagimin e ashpër të UEFA-s. /vipsport/