Etrit Berisha ëndërron kthimin në Serinë A sa më shpejt me SPAL-in e tij, por sidomos që viti 2022 ta shohë atë në Katar, duke marrë pjesë në Botëror me Shqipërinë. Këtë e ka pranuar vetë portieri i përfaqësueses shqiptare në një konferencë për shtyp sot në Itali, duke zbuluar ndjesitë e tij për këtë vit në Serinë B, por edhe ëndrrën kuqezi.

Lider te SPAL – “Sigurisht nuk është e lehtë. Unë mundohem të bëj dhe të punoj si gjithmonë që të jem në formë dhe të bëjë diferencën në ndeshje. Bashkë me skuadrën mundohem të arrij sa më lart të jetë e mundur dhe të kthehemi përsëri në Serinë A. Futbolli nuk është një lojë që bëhet nga një person i vetëm por nga e gjithë skuadra”.

Zbritja ne Serinë B – “Nga ana ime ka pasur dëshirë gjithmonë të jap më të mirën. Zbritja një vit në Serinë B nuk është diçka e thjeshtë, por për mënyrën se si kanë shkuar gjërat, preferova të rri këtu pasi njoh klubin. Ka ndryshim mes Serisë A dhe B. Tani jam shumë i përqendruar për të bërë mirë dhe ndihmuar skuadrën. Çdo ndeshje është një finale për mua dhe për shokët e mi ndaj të kthehemi në Serinë A do të thoshte të rigjenim më shumë argëtim, më shumë stimuj e dhe më shumë ndeshje entuziazmuese”.

E ardhmja – “Nuk e di ende sinqerisht, ndeshjet e ardhshme janë vendimtare. Nuk kam folur ende për të ardhmen time, pasi është ende herët. Varet nga mënyra se si shkoj me SPAL e ndoshta në fund të muajit do të takohemi për të diskutuar e mësuar diçka më shumë.

Situata me COVID-19 – “Ai ishte një moment i vështirë për të gjithë, sidomos për mua. Për herë të parë kam shkuar në spital dhe kishte shumë trishtim teksa shihja njerëzit në korridore që kërkonin ndihmë. Kam parë persona që kishin vështirësi të merrnin frymë. Tani duket sikur ka një dritë në fund të tunelit falë vaksinimit dhe për këtë jemi shumë të lumtur. Nuk duam të kthemi përsëri mbrapa”.

Me Shqipërinë drejt Katar 2022 – “Kemi shumë besim. Kemi një grup me djem që luajnë në nivele shumë të larta, Kemi një grup me skuadra shumë të vështira, por objektivi ynë është ai që të kualifikohemi në fazën finale. Reja? Edhe ai është një ish i SPAL, ai është me të vërtetë i dashuruar me Ferrarën dhe SPAL. Di gjithçka dhe ndjek gjithçka, më flet shumë mirë për qytetin dhe shihet se është i lidhur me të”. /vipsport/