Largimi i Zinedin Zidan nga Real Madrid ka hapur skenarë të rëndësishëm në skenën e trajningut evropian pasi ai i madrilenëve është një prej stolave më të lakmuar. Por në Spanjë janë të bindur se që në momentin parë kur mësuan dëshirën e francezit, për Florentino Perez ekzistonin vetëm 4 kandidatura.

Prej rreth 24 orësh, në Spanjë qarkullojnë vetëm emrat e Mauricio Poçetinos, Antonio Kontes, Raul Gonzalez dhe Çabi Alonso. Për të parin, ka konkurrencë me Totenhem që kërkon kthimin e tij meqë aventura me PSG duket se do të përfundojë shumë shpejt, pasi argjentinasi nuk ka një raport të mirë me drejtorin Leonardo.

Konte është një ide që tërheq, por për të duhet luftuar me PSG-në, pasi italianin e kërkon edhe klubi francez për të zëvendësuar pikërisht Poçetinon.

Parisienët kanë nisur menjëherë kontaktet me të dhe në favor kanë faktin se kanë burime të palimituara për merkaton e sidomos për rrogën, duke llogaritur që Konte nuk është një opsion me të cilin mund të kursesh.

Ndërkohë, Raul dhe Çabi Alonso janë dy ish-futbollistë të cilët po tregojnë vlerat e tyre me futbollin e moshave si trajnerë dhe do të ishin një bast për Realin. Por i tillë ishte edhe Zidan dhe ai rezultoi një nga zgjedhjet më të suksesshme në historinë e klubit, ndaj Florentino Perez nuk ka frikë se gabon. /vipsport