Në vitin 2021 Shqipëria do të ketë një ligj në fuqi që kushtëzon pushtetin vendor për të mos financuar dhe administruar drejtpërdrejt klubet, siç ndodh aktualisht. Por ligji detyron që bashkitë të privatizojnë klubet ose t’u ndryshojnë atyre statusin në shoqëri tregtare apo aksionare.

Lidhur me këtë, pikëpyetjet që ekzistojnë, situatën e klubeve në Shqipëri apo edhe me dyshimet se çfarë ndodh me logot, stemat apo edhe historinë e klubeve në rast se vijnë blerës privatë, apo edhe nga jashtë vendit, drejtori juridik pranë FSHF-së, Aldi Topçiu, në një intervistë për “Panorama Sport”, jep të gjitha përgjigjet. Megjithatë, edhe në syrin e një juristi ekspert, ligji aktual ka ende “dritë-hije” dhe lë vend për interpretime…

Si është situata e klubeve në Shqipëri për formën e tyre të pronësisë?

Formula e pronësisë dhe financimit në futbollin shqiptar është mikse. Në varësi të formës ligjore (shoqëri tregtare apo shoqatë) ndryshojnë edhe raportet e financimit brenda klubit. Me pak përjashtime, në ato klube që kanë formën e shoqërive aksionere, bashkitë kanë një përqindje në minorancë krahasuar me aksionarët e tjerë maxhoritarë. Ka gjithashtu edhe klube ku bashkitë zotërojnë 100% të kuotave.

Njëra prej dilemave që vjen nga ndryshimet ligjore është edhe frika për ndërprerjen e financimit për klubet nga bashkitë brenda këtij viti. Në ç’situatë i jemi referuar kësaj çështjeje dhe në dijeninë tuaj, sa prej bashkive e kanë nisur hapin drejt privatizimit?

Në dijeninë time, vetëm Bashkia Shkodër ka nisur një proces të tillë. Unë nuk e lexoj që bashkitë duhet të ndërpresin financimin, pasi mbështetja e sportit është detyrim i njësive të qeverisjes vendore, por mënyra se si duhet te jetë kjo mbështetje mendoj se duhet të ndryshojë.

Menaxhimi i një klubi futbolli është detyrë e profesionistëve të fushës dhe nuk mund të pretendohet që bashkitë të kenë gjithnjë mundësitë për t’i menaxhuar ato, pasi dihet që qytetet tona kanë problematikat e tyre. Në përgjithësi klubet e menaxhuara nga bashkitë nuk kane qenë një model suksesi krahasuar me ato të menaxhuara nga privatët. Në këtë aspekt, mendoj se fondet e bashkive duhet të fokusohen te ndërtimi i infrastrukturës dhe masivizimi.