Da Silva pritet të jetë mungesa e vetme për ndeshjen e së enjtes kundër AEL Limasolit. Mësohet se mesfushori me tipare sulmuese u sforcua më shumë sesa duhet në ndeshjen e kthimit kundër Shiroki Brijegut.

Madje, ai ka luajtur me injeksion për të zbutur dhimbjet, por pas një përplasjeje nuk ia doli dot më dhe u zëvendësua që në minutën e 30-të.

Sa i përket pjesës tjetër të formacionit, trajneri Tomas Brdariç nuk ka ndërmend që të bëjë ndryshime. Në portë pritet i përhershmi Zogoviç, ndërsa prapavija do të përbëhet nga katërshja Gurishta, Adili, Imami dhe Bulatoviç.

Treshja e mesfushës me shumë mundësi do të përbëhet nga Kaleziç, Krymi dhe Jonuzi, ndërsa në sulm, Kruja me Hoxhajn nga krahët do të mbështesin Gjurgjeviçin.

Gjatë gjithë kësaj kohe, trajneri Brdariç dhe stafi i tij u kanë kërkuar lojtarëve që të jenë të përpiktë taktikisht dhe të mos nënvlerësojnë asnjë situatë që mund të krijohet gjatë lojës, pasi është shumë e rëndësishme që në ndeshje si këto përqendrimi të jetë maksimal.