Vllaznia ka zhvilluar përgatitjet e fundit në prag te ndeshkjes së raundit të dytë kualifikues të Conference League me AEL Limassol të Qipros.

Skuadra shkodrane kreu seancën e fundit stërvitore gjatë së cilës duket se ka shfaqur pakënaqësitë e saj për gjendjen e terrenit, por kjo nuk i pengon futbollistët she stafin e kësaj skuadre që të shfaqen optimistë për arritjen e një rezultati pozitiv,gjë që e vuri në dukje sponsori i skuadrës Alban Xhaferri.

Alban Xhaferri: Ekipi është përgatitur mirë dhe grupi është i plotë, përveç Da Silvës. Mendoj se do të jetë një ndeshje që nuk duhet nënvlerësuar, pasi kemi përballë një kundërshtar të fortë, me një buxhet shumë më të madh se ne, por ne ecim me idenë që të mund të arrijmë një rezultat pozitiv që këtu, për ta pasur më të lehtë punën në Shkodër.

Ndeshja mes Vllaznisë dhe AEL Limassl ishte parashikuar të luhej në orën 16:30, por ky orar edhe për shkak të motit shumë të nxehtë u ndryshua dhe ajo do të luhet në orën 19:00 dhe për Xhaferrin ky ishte një vendim i mirë

Alban Xhaferri: Kjo besoj është më mirë, pasi në orarin e parë do ta kishim shumë të vështirë, me një klimë të nxehtë e të lagësht.

Për Alban Xhaferrin që e vlerësoi në maksimum skuadrën qipriote, edhe  një barazim apo humbje minimale do të ishte diçka pozitive për skuadrën e Vllaznisë.

Alban Xhaferri: Sigurisht që edhe barazimi është një rezultat i mirë, pasi në fushën tonë kemi treguar se jemi të fortë dhe kthejmë edhe rezultate. Barazimi do të ishte i mirë, por edhe një humbje minimale nuk na demotivon, pasi do të mund të luajmë shanset në Shkodër.