Skënderbeu – Partizani ishte takimi që vijoi javën e dytë të ndeshjeve të Superligës. “Ujqërit” dhe “demat” u përballën në stadiumin “Skënderbeu” të qytetit të Korçës në orën 16:45. Një ndeshje që iu dha nga 1 pikë secilit prej ekipeve ku ndeshja përfundoi 1-1.

Një pjesë e parë ku nuk pati shumë për tu përmendur nga të dy skuadrat dhe gjithçka u vendos në fraksionin e dytë. Më saktë gjithçka u vendos në 2 minuta. Ishin të kuqtë kryeqytetas që kaluan në avantazh në minutën e 56-të me anë të një penalltie të shndërruar në gol nga Stenio Junior. Por gëzimi i 16 herë kampionëve nuk zgjati shumë.

Kjo pasi në minutën e 57-të ku korçarët sapo kishin nisur topin nga mesfusha pas golit të pësuar, një top i gjatë i Mares gjen në sulm Berishen, që pas mosmarrëveshjes mes Damçevskit dhe portierit Hoxha përfiton dhe dërgon shifrat në 1-1.

Minutat në vijim shikuan më tepër një futboll në mesfushë dhe pa raste konkrete nga ana e skuadrave. Në këtë mënyrë Skënderbeu merr pikën e parë në kampionat e po ashtu Partizani i Dajes që duket se në këtë fillim kampionati nuk po tregon një formë të mirë ku javën tjetër në Tiranë do presë pikërisht Vllazninë.
Endri ÇINARI