Gëzim Sinemati ka analizuar atmosferën që është krijuar te Partizani pas dy javëve të para të sezonit. Në Procesin Sportiv, Sinemati tregon se Olsi Rama do t’i japë peshë postit të drejtorit sportiv me emrin që ka. Për të, Partizani në dy javët e para të Superligës ka bërë bamirësi, teksa skuadra nuk duhej lënë të konsolidohej në orët e fundit të merkatos.

“Partizani ka dy javë që fiton Kupën Nënë Tereza për bamirësi. Ekipin duhet ta bëjë trajneri. Kur nuk e bën trajneri, por e bën drejtori ngelet për në fund. Sepse Partizani për emrin që ka, për peshën që ka në kampionat, nuk mund ta lëri dot ekipin në orën e fundit.

Nuk është Partizani i orës së fundit, janë ekipe të tjera ato. Ne kemi qenë dëshmitarë të sjelljes së Dajës, që mbahet për trajner kokëfortë dhe të Gegës që ishte po ashtu. Gjithmonë ata tentojnë që të vënë emrin e tyre përpara drejtorit sportiv, kurse ai ka qejf të jetë mbi trajnerët.

Dhe kjo puna e lojtarëve gjithmonë zbulon raportet midis drejtorit dhe trajnerëve, sidomos kur janë trajner që nuk hapin rrugë. Ne e dimë peshën e drejtorit teknik në kampionatin shqiptar. Olsi Rama me emrin që ka do të krijojë një peshë tjetër të drejtorit, por drejtori teknik në kampionatin tonë nuk ka ndonjë peshë të madhe”, tha Sinemati./newsport/