Vllaznia luajti mbrëmë kundër Partizanit në transfertë, ndeshje që përfundoi me rezultatin 1-1. Shkodranët kaluan të parët në avantazh përmes Victor Da Silvës që shfrytëzoi si duhet një asist të Liridon Latifit.

Arbitër kryesor i takimit ishte Andi Koçi i kolegjiumit të Durrësit, ndërsa ndihmës të tij ishin Avdo dhe Burgu. Në VAR ishte gjyqtari i FIFA-s, Eldorian Hamiti.

Takimi ishte mjaft i luftuar nga të dy ekipet, ndërsa nuk mungonin as tifozëritë në shkallët e stadiumit. Ajo që ra në sy ishte se në çdo rënie bilbili të gjyqtarit Andi Koçi, kishte ovacione në radhët e mbështesve shkodranë.

Në asnjë moment nuk pajtoheshin me vendimet e kryesorit duke shpërthyer ndaj tij. Edhe pse njihen si tifozëria më e qetë në vend, me sa duket ndeshjet kundër Partizanit janë shndërruar për ta në “jetë a vdekje”.

Kishte nga ata që thonin: “Jemi djegur shpesh nga arbitrat, ndaj protestojmë vendimet e tyre”. Sakaq në të njëjtën linjë shkonin edhe lojtarët kuqeblu së bashku me trajnerin Thomas Brdariç që nuk ishte aspak dakord me atë që vendoste Koçi në fushën e blertë./newsport/