Vllaznia ka bërë një start të mirë të sezonit pavarësisht se tifozët presin gjithmonë fitoren nga kuqeblutë. Por 5 pikë kundër Laçit, Teutes dhe Partizanit patjetër që duhen vlerësuar. E nëse ka ndonjë lojtar që po qëndron mbi grupin tek kuqeblutë në këtë fillim sezoni, ai është Viktor Da Silva.

Sulmuesi brazilian ka shënuar në 3 takimet e para të sezonit, duke qenë golashënues jo vetëm i skuadrës, por edhe i Superligës.

Jo vetëm golat, por edhe loja e anësorit të sulmit kanë dalluar tek Da Silva. Tifozët duken që po kënaqen me një futbollist që ka klas dhe që duket se u ka lënë disi kapriçot e sezonit të shkuar.

E vetmja gjë që penalizon 26-vjeçarin duket se janë dëmtimet. Një futbollist i brishtë, ku thuajse në të gjitha takimet është zëvendësuar si shkak i dëmtimeve. Por, kjo është edhe mënyra e vetme që gjejnë kundërshtarët për ta ndalur.

Të gjithë presin akoma më tepër nga braziliani, që nëse vijon me këtë ritëm, do jetë me patjetër lideri i Vllaznisë. Dhe si tifozët apo edhe stafi teknik mund t’ia falin ndonjë finte më tepër gjatë lojës.
Endri ÇINARI