Ardian Mema mendon se Partizani nuk ka shfaqur ende fytyrën e vet të vërtetë, ndërsa Vllaznia është skuadra që bën lojën më të bukur në Superiore, pavarësisht asaj që u shfaq në ndeshjen e kësaj jave mes dy ekipeve.

Në analizën e tij në “Sport News” Plus”, ish futbollisti e trajneri i Tiranës është ndalur edhe  te bardheblutë, duke theksuar se Tirana ende nuk bind me lojën që po prodhon.

“Mendoj se Partizani ka qenë me shumë hope, ka probleme sidomos në fazën e sulmit, është shumë gradual dhe i jep ekuilibër kundërshtarit, duhet të ketë iniciativë individuale. E shoh që vuan shumë edhe në fazën mbrojtëse. Me kalimin e kohës, se iku java e tretë dhe krijohet fizionomia, e dimë se si luan trajneri, kërkon të qarkullojë topin.

Por ekipi aktualisht vonohet shumë, sidomos në aksionet ku duhet që me 5 pasime të shkosh në portën kundërshtarit, e shoh të ngurtë. Vllaznia ishte më e shkathët, gjente shpesh topin, dilnin shpejt para. Partizani nuk ka agresivitetin, goli i Vllaznisë ishte me 5 lojtarë brenda zonës, në atë që i themi sulm ultra-agresiv. Partizani është i ngadaltë në këtë pjesë.

Mendoj se gjithsesi Partizani mund të kapë ritmin. Po luante kundër Vllaznisë, e cila për mendimin tim është skuadra më e mirë e kampionatit sa i përket lojës. Sulmoi Partizani e shënoi Vllaznia, duhet që Partizani të jetë i kujdesshëm kur është në krizë, se është një lloj ngërçi që po pëson ky ekip. Është skuadër e mirë, nuk është skuadër e keqe, por ka këtë lloj ngërçi.

Ndërhyrja e Hoxhës ndaj Da Silva? Lau gjynahet e ndeshjes së kaluar. Asnjeri nuk do të gabojë dhe duhet të kemi kujdes kur flasim për dikë.

Tirana? Nuk është se më ka mbushur mendjen shumë nga pjesa e lojës, edhe këtë radhë ishte një lojë që ra në kurthin e Kastriotit, e futi në ritmin e vet, sidomos te vonesat apo faullet. Plus fusha nuk linte të shprehej. Ekipet që peretendojnë, duhet ta zgjidhin në fillim ndeshjen me gol, siç e pat rastin Tirana, se vjen duke u vështirësuar.

Në ato terrene cilësia barazohet, por nuk është justifikim për Tiranën se është një ekip me shumë financa, më i fortë se Kastrioti në këtë aspekt, edhe lojtarët i kanë me vlerë në cilësi. Nëse nuk fiton me Egnatian e Kastriotin normalisht ka diçka që nuk shkon.

Nuk më pëlqen shumë si lojë, nuk pati entuziazëm si ndeshje, ndoshta edhe orari ndikon, edhe fusha. Por nuk dua të justifikoj Tiranën, sepse nëse Tirana ka pretendime dhe objektiva për të arritur drejt titullit apo të paktën në Kupat e Europës…. Se vjet pat një dështim total, se humbi rreth 900 mijë euro. Të kesh këto lloj problemesh vit pas vitit, do të vijë koha e do të agravojnë”, tha Mema.