Një gjeneratë e re me plot talente ka lindur për Shqipërinë. Si kurrë më parë emrat që premtojnë shumë për të ardhmen janë rritur ndjeshëm dhe për të gjetur të tillë nuk është nevoja të shohim shumë larg. Mjafton të kthejmë vështrimin nga Greqia, atje ku po ngjit hapat Leandro Frroku me origjine nga Puka.

Mesfushori i datëlindjes 2003 është një element që spikat në akademinë e Panathinajkos. Futbollisti i talentuar është pjesë e ekipit U21 të klubit të njohur helen, ku pavarësisht se është vetëm 18 vjeç, mban në krahë shiritin e kapitenit.

Frroku ka provuar edhe grumbullimin me skuadrën A, në të cilën ka qenë dy herë i pranishëm, por pa debutuar në fushën e lojës. Megjithatë ky moment do të vijë, teksa Panathinajkos beson te aftësitë e tij dhe pritet t’i ofrojë një kontratë për ekipin e parë.

Mesfushori shqiptar ka qenë pjesë e kuqezinjve të grupmoshës U17 dhe mund të japë një kontribut të madh në ekipet tona zinxhirë, e pse jo në të ardhmen të mund të veshë edhe fanellën e Shqipërisë A./Sport Ekspres/